Ngritja e aktakuzave nga Specialja ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për kinse krime lufte, bëri që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të niset drejt Kosovës ditën e hënë për të takuar liderët politikë.
Shefi i qeverisë shqiptare për dy ditë zhvilloi takime me krerët e shtetit, e liderët tjerë politikë. Vizitën e tij në Kosovë, Rama e përmbylli duke iu drejtuar qytetarëve përmes një konference për media, ku nga aty tha se Shqipëria e ka për detyrë ta mbështesë Kosovën pa kushte, shkruan Telegrafi.
Rama para mediave tha se komunikata e Prokurorisë Speciale, të cilën ai e quajti si “fletë-rrufe”, është e ngjashme me komunikatat e revolucionit kulturor kinez, të cilat tha se i kanë përjetuar gjatë diktaturës në Shqipëri.
Ai tha se pavarësisht nëse është bërë me qëllim apo jo, publikimi i kësaj komunikate në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë “abortoi një proces që lidhet me paqen”.
“Komunikata e ashtuquajtur, për mua një fletë-rrufe, për mua e ngjashme me komunikatat përgjatë revolucionit kulturor kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar ne në Shqipëri gjatë diktaturës, e publikuar në momentin e publikimit të saj, pavarësisht nëse ai është i rastësishëm apo i qëllimshëm në prag të një takimi në Shtëpinë e Bardh, për të thënë se historia nisi të shkruhej me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen, politik që lidhet me paqen”, ka thënë Rama në përmbyllje të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në në Kosovë ishte i shoqëruar edhe nga ministri i në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ndërsa gjatë takimeve është shoqëruar edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Dita e parë e vizitës së kryeministrit Rama në Kosovë
Takimin e parë, Rama ditën e hënë e zhvilloi me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Pas takimit, Limaj ka thënë se me kryeministrin Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, dhe se kryeministri Rama është shprehur i gatshëm të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.
Pas përfundoi takimin me kreun e Nismës, Rama takoi kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takim me kryeparlamentaren, Vjosa Osmani (Foto: Ridvan Slivova)
Takimi u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Më pas, Rama takoi edhe shefin e Qeverisë të Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti pas takimit deklaroi se Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë që ta thellojnë bashkëpunimin edhe më tej si partnerë të natyrshëm dhe strategjik në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.
“Biseduam edhe për gjendjen e re të krijuar në vend, dhe theksova se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla, që natyrisht nuk janë të lehta”, kishte njoftuar Hoti.
Gjithashtu, Hoti ka njoftuar se ka pranuar ftesën nga kryeministri Rama për ta vizituar në Tiranë, këtë të premte, më 3 korrik.
Megjithatë, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, në takim nuk e priti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Rama në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje realizoi një takim me nënkryetarin e LVV-së, Glauk Konjufca.
Rama u takua edhe me kreun e PDK-së, Kadri Veseli. Madje, ky i fundit e quajti takimin vëllazëror duke publikuar fotografi së bashku.
E pas takimeve të njëpasnjëshme, për kryeministrin shqiptar u shtrua një darkë të cilën e kishte planifikuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Ndërsa, takimi zyrtar mes Thaçit dhe Ramës u zhvillua rreth orës 19:00 në presidencë.
Dita e dytë e vizitës së kryeministrit Rama në Kosovë:
Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë, kryeministri Rama takoi kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të AKR-së, Behgjet Pacollin dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Rama në agjendë kishte edhe një takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk takoi shefin e ekzekutivit shqiptar për shkak të një përplasjeje të mëhershme rreth idesë së shkëmbimit të territoreve që përfundoi me një padi të kryeministrit të Shqipërisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Haradinajt për shpifje.
Megjithatë, Rama para se të kthehej në Shqipëri deklaroi se do të tërheq padinë për shpifje që i ka bërë ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime me mediat të vazhdueshme në çdo derë, por do të bëj një konferencë për shtyp, ku do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkoj të gjithë. Nuk e di çfarë roli ka tërheqja e padisë për rolet mes nesh, për më tepër me padi e pa padi, me shpifje e pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, por është një prej figurave historike, nga ai vend nuk mund ta heq askush, as ai veten nuk mund të largohet nga ai vend, sado kryeministër i keq që të jetë. Padia do të tërhiqet, natyrisht edhe zyrtarisht”, tha Rama.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Prishtinë, e kanë vlerësuar të rëndësishme, por deklarimet Ramës për unitet në spektrin politik në Kosovë, i shohin si ndërhyrje të panevojshme.
Vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës duhet parë me tepër në funksion të përfitimit politik nga ana e tij, sesa si kontribut për skenën politike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj.
Ndërkaq, politologu, Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se vizita e kryeministrit të Shqipërisë në këtë kohë ishte e mirëseardhur, pavarësisht se ajo mund të konsiderohet edhe si vizitë politike.