Dy deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nuk patën një ditë të mirë sot në Kumanovë.
Një video që është dërguar në KALLXO.com nga një lexues, tregon mllefin me të cilin u përballën sot Rexhail Ismaili dhe Mervan Xheladini, deputetë të partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni.
Ata kishin shkuar për të biseduar me qytetarët e ‘Lagjes së Trimave’ në Kumanovë por janë kthyer mbrapa pa mundur të depërtojnë te shtëpitë e shkatërruara nga luftimet e të shtunës dhe të dielës së kaluar ndërmjet një grupacioni të armatosur dhe policisë së Maqedonisë.
Banorët e lagjes janë shprehur të revoltuar nga prania e dy deputetëve dhe i fajësuan ata se nuk kanë intervenuar në parandalimin e aksionit policor sado që, siç tha njëri nga banorët, BDI ka qenë në dijeni për praninë e një grupi të armatosur në këtë lagje.
Ata kanë fajësuar politikanët shqiptarë dhe qeverinë e Maqedonisë për këtë situatë, ndërsa kanë thënë se nuk kanë asnjë problem me popullatën maqedonase.
E tëra që njëri nga deputetët mundi ta thotë në një situatë të tillë ishte “Qoftë e kaluar”, por edhe kjo shprehje e tij irritoi masën e njerëzve të mbledhur në një rrugë të ‘Lagjes së Trimave’.
Tetë pjesëtarë të policisë së Maqedonisë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur raportohet të jenë vrarë gjatë dy ditëve të luftimeve, ndërsa numri i të plagosurve arrin në 37.
Luftimet kanë lënë mbrapa edhe shumë dëme materiale në shtëpitë e lagjes dhe zhvendosjen e popullatës për dy ditë.
Për dallim nga deputetët shqiptarë, gjatë ditës së djeshme liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev nga Lidhja Social demokrate e Maqedonisë, iu rezervua një pritje madhështore nga banorët e zonës./Kallxo.com/