Dy biznesmenët, Arion Lleshi e Shpend Agani të hënën i kanë paguar 200 mijë euro shtetit, nga 400 mijë që do t’i kthejnë, si kusht që të mos shkojnë në burg.
Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime të saja brenda sistemit gjyqësor.
Sipas këtyre burimeve, data 8 shkurt ka qenë afati i fundit për pagesën e këstit të parë, të cilin e kanë respektuar dy të biznesmenët.
Ndryshe, Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.
Dhe pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë.
Sipas vendimit të gjykatës, këta të dy nuk do të shkojnë në burg nëse brenda 3 vjetësh nuk kryejnë vepra tjera penale.
Por gjykata i obligoi dy biznesmenët që t’ia kthejnë paratë buxhetit të shtetit për dëmin që me veprimet e tyre Prokuroria Speciale thotë se iu shkaktua Ministrisë së Shëndetësisë.
Lleshi e Agani nuk do të mund t’i shmangen burgut, nëse “në afatin e caktuar deri më 31 dhjetor 2016 nuk e kompensojnë dëmin që e kanë shkaktuar me veprën penale dhe atë që secili veç e veç në pjesë të barabarta të kompensojnë shumën prej 400.000 eurove Ministrisë së Financave si dhe Administratës Tatimore në shumë prej 2228.60 euro”.
Dy biznesmenët ngarkoheshin për mashtrim dhe shmangie nga tatimi në procesin ku të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë edhe Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Florie Tahiri, Bekim Fusha, Valentina Haxhiu dhe Remzie Thaçi.
Prokuroria Speciale, Lleshin e Aganin i akuzonte se në periudhën nga maji deri në dhjetor të 2011-ës, duke qenë bashkëpronarë të “KMI” Sh. P.K e kanë mashtruar Ministrinë e Shëndetësisë me anë të paraqitjes së rreme, ose fshehjes së fakteve.
Sipas aktakuzës, Lleshi e Agani këtë e kanë bërë duke “përdorur dokumente të falsifikuara gjatë pjesëmarrjes në tenderin ‘Klasifikimi dhe Shkatërrimi i Barnave me Afat të Skaduar’ dhe gjatë procesit të klasifikimit dhe shkatërrimit të barnave kanë falsifikuar fletë-peshimet e sasive të barnave me afat të skaduar”.