Si një artist i sprovuar e me famë në Itali, në këtë përballje me artistët shqiptarë të kësaj gare kërcimi, ai e konsideron veten drejtorin e një klase me nxënës, të cilët duhet të bëjnë show me kërcime e jo fjalë. Për martesën me aktoren italiane të serialeve, Emanuela Marini, projektet e mëdha, vajzës së tyre Emily dhe vitet mbi supet e një balerini, Shaqiri i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Rikthehesh sërish në panelin e “Dancing with the Stars”. Meqë këtë edicion garuesit e kanë për herë të dytë, mendon se kjo i ndihmon apo i fundos, nëse nuk e kanë prirje sadopak kërcimin?
Mendoj që kush është rikthyer e ka bërë për të dalë më mirë se herën e parë. Dhe duke njohur si funksionon mekanizmi i programit, besoj i kanë bërë mirë llogaritë te talenti i tyre si balerinë. Për këtë arsye, unë personalisht do të jem më shumë kërkues si kualitet kërcimi dhe pikët nuk do i fal.
Kush nga 12 konkurrentët të kanë mbetur në memorie për performancat e tyre dhe cilët as nuk i kujtoje?
I mbaj mend shumë mirë të gjithë. Unë shikoj me kujdes çdo sfidë, apo kërcim dhe pse ndonjëherë dukem më indiferent.
Është e vështirë të gjykosh personazhe që kanë një karrierë personale dhe që shpesh mund t’i marrin komentet për ters? Si e ke zgjidhur këtë pjesë?
Unë kam shumë respekt për punën, talentin dhe karrierën e secilit prej tyre dhe pretendoj të njëjtën gjë prej tyre drejt meje. Në rastin konkret, ata janë nxënësit, unë drejtori, prandaj duhet të nxjerrin mësime nga kritikat dhe të kërcejnë sa më bukur kanë mundësi, pasi unë e kuptoj kur ata kanë përparime ose jo. Lëvdata dhe pikë të larta kot nga ana ime nuk do të kenë. Përkundrazi, vlerësoj shumë kush punon e bën show në bazë të punës dhe jo fjalëve.
Ke krijuar miqësi me ndonjë prej tyre dhe afrimiteti i mundshëm të vendos në vështirësi për të gjykuar me objektivitet?
Shumë pak… Nuk kam kohë, pasi shkoj e vij çdo javë nga Italia dhe ato pak momente fjalësh janë më shumë përshëndetje.
Po komunikimi me anëtarët e tjerë të jurisë, si është? Jeni gjithmonë në një linjë mendimi me Ema Andrean dhe Alfred Kaçinarin?
Raporti me Emën dhe Fredin është shumë i thjeshtë, i respektueshëm në mënyrë reciproke dhe pa asnjë lloj ndikimi si në komente, ashtu dhe në pikë. Secili nga ne ka një sensibilitet artistik përkatës drejt kërcimit dhe secili mbron mendimin e vet çdo herë.
U duk se hyrja e Julian Dedës në panel ju sjell bezdi. Ke një koment për aktorin, i cili prej kohësh bën edhe opozitarin në politikën shqiptare?
Jul Deda, sigurisht do i japë piper situatës dhe do krijojë të tjera aspekte diskutimi në “Dancing with the Stars”, për arsye se ai e ka kaluar te këmbët e veta këtë eksperiencë në “DWS 1”. Jam shumë kureshtar sesi do të argumentojë analizat e veta, përsa i përket kërcimit, sepse emri Jul Deda thotë gjithçka, përveç kërcim. (Qesh) Politika le
të mbetet jashtë mureve të “DWS”. “No Politike, Yes Dance & Enjoy të premten në darkë!”.
Nisur nga komentet tuaja, dikush aty nuk qëndron drejt, dikush është më i gjatë se ç’duhet, një tjetër realizon padjeshkë të sforcuar. A mund të na bësh identikitin e fizikut afër perfektes së një balerine apo balerini?
Balerini duhet të ketë çdo detaj të trupit në proporcion me tjetrin. Përveç kësaj dhe zgjedhja e partnerit duhet bërë në funksion të VIP-it konkurrues, bazuar në peshë,
gjatësi, forcë, etj..
Tre muaj spektakël, ti udhëton mes Shqipërisë dhe Italisë. Të ka sjellë probleme në martesë?
Jo, aspak. Jemi mësuar dhe puna jonë është përherë në lëvizje.
Ndërkohë, në rrugën e baletit, pra, artit, keni përfshirë vajzën tuaj, Emily. Si e projektoni të ardhmen e saj, si kush personazh i njohur në botë mund të bëhet nesër?
Emily është 13 vjeçe tashmë dhe unë jam shumë krenar sesi rritet dhe për sukseset që
ka në rrugën e artit. Sapo fitoi një kontratë për një projekt aziatik, që do prodhohet në Europë, në disa gjuhë. Është një serial televiziv i tri vajzave që kërcejnë e këndojnë në një botë reale virtuale. Më tepër s’mund të them, për arsye copy-right. Por shumë shpejt do të shikoni çfarë projekti kolosal është. Emily do të jetë, shpresoj, një artiste e kompletuar dhe unike dhe nuk dua ta krahasoj me asnjë.
Kur vitet ikin, për një balerin është më e dhimbshme se për të tjerët. Ju si e superoni idenë e kohës që kalon?
Thjesht duke vazhduar profesionin e jetës sime, punë që e pasqyroj në official fan
page-n tim, Ilir Shaqiri në “Facebook” dhe “Instagram”-in ilir_shaqiri. Jap
master stage, evente, konkurse e koreografi në gjithë Italinë dhe rigjenerohem
mes brezave dhe talenteve që kanë dëshirë të jenë ok, në këtë art unik dhe
shumë të vështirë. Për një artist që adhuron punën e vet, nuk ka kohë dhe moshë
që mos të ketë sens, ose të jetë e rëndomtë./Panorama/

















