Presidenti i Turqisë Erdogan po zhvillon bisedime me homologun Putin në Rusi. Takimi me Putinin duhet të shënojë një fillim të ri, por mosmarrëveshjet ende janë të mëdha.
Vizita e Erdoganit në Rusi dhe takimi me Putinin do të shënojë një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale mes Turiqsë dhe Rusisë. Kështu u shpreh presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe kulturor.
Erdogani dhe shefi i Kremlinit, Vlladimir Putin, po përpiqen prej javësh që t’i çtendosin raportet politike, diplomatike dhe ekonomike, pas goditjes në nëntor të vitit të kaluar të një avioni rus, që ishte pjesë e misionit ushtarak rus në Siri. Si pasojë, Rusia i ka vënë Turqisë sanksione ekonomike, si për shembull në sektorin e turizmit. Erdogani ka kërkuar falje në qershor për goditjen e avionit rus. Pas tentimit të grusht shtetit, ai ka fajësuar madje kundërshtarët politikë për këtë incident.