Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dushan Janjiq ka kritikuar ashpër qeverinë e Serbisë.
Analisti serb tha se Beogradi bëri gabim të rëndë kur tha se do të arrestojë zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës. Hashim Thaçi, nëse ai do të shkonte për një vizitë në kryeqendrën serbe.
Gjatë një interviste për Klan Kosovën, Janjiq tha se qeveria serbe dëshmoi dyfytyrësi me veprimin që e bëri ditë më parë.
Madje ai e ka përshkruar edhe në mënyrë sportive se kush humbi e kush fitoi në raportin ndërmjet kryediplomatëve Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
“Në këtë rast Hashim Thaçi u bë si ai futbollisti që nuk luan fare në një lojë, por e fiton ndeshjen me rezultatin 3:0. Nga kjo, bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar në tërësi se ka urdhërarrest për Thaçin në Serbi, gjë për të cilën shumë njerëz nuk e kanë ditur. Poashtu ky refuzim ndaj Thaçit ka dëshmuar dyftyrësinë e Ivica Daçiqit, i cili kur takon Thaçin diku, paraqitet si një njëri tjetër, ndërsa kur flet në Serbi jep deklarata nacionaliste”, tha Janjiq.
Analisti serb tha se veprimet e tilla dëmtojnë dialogun e zhvilluar në Bruksel. /klankosova/