Nga qëndra stërvitore në Rogashka Sllatina të Sllovenisë ku ndodhet për fazën përgatitore, skuadra e Shkëndijës së Tetovës e ndoqi me interes të veçantë shortin e Europa League që i vendosi përballë skocezët e Aberdeen. Edhe pse nuk ishte në mesin e ekipeve që tetovarët preferonin, trajneri Shpëtim Duro karikon grupin e tij.
“Dihen vlerat e futbollist skocez dhe Aberdeen është një skuadër e njohur, por kam besim që kemi një skuadër dhe lojtarë me shumë përvojë që të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në të dyja takimet”.
Më tej fjalën e mori një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në radhët e kuqezinjve, Armend Alimi.
“Është një short i vështirë për ne, por ne nuk do të ngremë flamurin e bardhë. Kemi cilësi të mjaftueshme për ta kaluar këtë raund. Me angazhim maksimal mund të arrijmë rezultat”.