Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Podujevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi. Vizita është bërë e ditur nga vetë Durmishi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Durmishi ka njoftuar se gjatë takimit e ka informuar kryetarin Bulliqi për vendimin e sotëm për shpronësim, i cili hap rrugën për përfundimin sa më të shpejtë të 15 për qind të punimeve të mbetura në projektin e rrugës Prishtinë–Podujevë.
“I urova punë të mbarë në mandatin e ri mikut tim, kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Njëkohësisht, ia kumtova edhe lajmin e mirë për vendimin e sotëm për shpronësim, i cili mundëson që 15 për qind e punimeve të mbetura në projektin e rrugës Prishtinë–Podujevë të përfundojnë shumë shpejt”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka shtuar se Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës kanë mbështetur fuqishëm Komunën e Podujevës dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe në të ardhmen.

















