Ushtruesi i Detyrës së Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi gjatë vizitës së tij në Komunën e Drenasit, si një nga vendet më të prekura nga vërshimet, ka thënë se janë angazhuar të gjithë ekipet dhe operatorët ekonomikë për të intervenuar kudo që është e nevojshme.
Ai tregoi edhe për problematikat që janë krijuar në rrugët nacionale, dhe rrëshqitjet e dheut ku edhe nënvizoi çështjen e autostradës “Ibrahim Rugova” për të cilën tha se një pjesë është mbyllur për qarkullim,
“Ndodhemi në hyrje të Drenasit. Siç mund ta shihni edhe ju, gjendja është mjaft e rënduar pas reshjeve të mëdha të shiut. Ne, si institucione në bashkëpunim edhe me Komunën, konkretisht këtu në Komunën e Drenasit, por edhe në komuna të tjera, jemi duke bërë maksimumin tonë. Kemi aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetërorë institucionalë me të gjitha kapacitetet që kemi, në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shumë këtë gjendje që është krijuar. Po bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të mos ketë pasoja të mëdha nga këto vërshime që po ndodhin në disa komuna, si këtu në Drenas, Malishevë, Rahovec dhe në disa komuna të tjera. Jemi në terren me të gjithë operatorët ekonomikë të angazhuar nga ministria jonë, janë në terren në vazhdimësi, 24 orë, për të ndihmuar në çfarëdo situate që është e nevojshme”, tha ai i shoqëruar me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Durmishi tha se vështërësi më të mëdha janë krijuar në disa rrugë lokale sesa në ato nacionale.
“Përgjithësisht, rrugët nacionale, rajonale dhe autoudhët janë në gjendje më të mirë sesa disa pjesë që janë rrugë lokale. Ka disa raste ku ne kemi intervenuar, te hyrja e aeroportit. Zakonisht aty janë mbyllur kanalet e ujërave atmosferikë dhe është dashur të intervenohet për t’i zhbllokuar dhe tash është lehtësuar dukshëm komunikacioni aty. Edhe në disa vende të tjera është intervenuar kudo që ka pasur nevojë. Kryesisht, problemet më të mëdha i kemi në disa vende, ku edhe qytetarë të ndryshëm, përmes ndërtimeve që kanë bërë, i kanë bllokuar kanalet e trajtimit të ujërave atmosferikë dhe këto po na shkaktojnë shumë probleme. Jemi duke intervenuar me të gjitha kapacitetet kudo që është e nevojshme, që ta kalojmë këtë situatë sa më lehtë që është e mundshme”, tregoi Durmishi.
Sa i përket rrëshqitjes së dheut ai tregoi për një zgjidhje që u bë në autostradën “Ibrahim Rugova”
Janë disa rrëshqitje të cilat kanë ndodhur përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”. Ne tashmë e kemi përfunduar komplet projektin dhe kemi nisur procedurën e prokurimit për sanimin e të gjitha rrëshqitjeve në autostradën “Ibrahim Rugova” dhe një prej tyre është edhe ajo rrëshqitja në mes të Suharekës dhe Prizrenit. Ne kemi bërë aty, në njërën pjesë, një mur si intervenim emergjent, mirëpo tani do ta trajtojmë komplet autostradën përmes një kontrate të re që do të bëhet”, sqaroi ai.
Ai foli nëse ka ndonjë rrezik që sot të ketë rrëshqitje të dheut në autostradë apo edhe rrugë të tjera.
“Rrezik ka jo vetëm aty, por edhe në vende të tjera. Aty ne e kemi ndërprerë komunikacionin në njërën anë, sepse edhe nëse ka rrëshqitje nuk bllokohet qarkullimi dhe autostrada. Në të ardhmen ne do ta trajtojmë komplet autostradën”, tha Durmishi./EO


















