Shpresoj që filmi “Shok” nuk do të përmendet si filmi i parë që ka arritur në Oscar, por si i pari që e ka sjellë çmimin Oscar në Kosovë”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Eshref Durmishi, producent dhe aktor në filmin “Shok”.
Nominimi për ndarjen e çmimit prestigjioz Oscar po cilësohet si suksesi më i madh në kinematografinë kosovare. Sa ka qenë i pritshëm për ju si producent dhe aktor kosovar ky nominim dhe si e përjetuat këtë moment?
Eshref Durmishi: Është një moment shumë i mirë për Kosovën dhe kinematografinë e Kosovës sepse është hera e parë që një film kosovar po nominohet në Oscar, në fillim kur e kemi bërë filmin nuk kemi menduar se do të arrijmë deri në nominimin për Oscar, por e kemi bërë një film me shumë dashuri dhe shume përkushtim, kemi dashur të tregojmë storiet tona nëpër botë.
Filmi ka pas një rrugëtim shumë të mirë në festivale botërore ku morrëm edhe shumë çmime, pastaj në përzgjedhjen prej 150 filmave u futëm në top 10-she dhe aty u rritën pritshmëritë, sepse me vet faktin se u futëm në 10-she, pastaj pritshmëritë u rritën që ne mundemi me qenë në 5-she dhe të nominuar, gjë që ndodhi dhe është e jashtëzakonshme.
Radio Evropa e Lirë: Na flisni pak për tematikën e filmit, pse u zgjodh pasqyrimi i luftës në Kosovë dhe cili ka qenë mesazhi që keni dashur të përcillni?
Eshref Durmishi: Jamie Donoughue, regjisori i cili e ka shkruajtur skenarin, ai ka qenë disa herë në Kosovë dhe e ka prekur historia e Kosovës nëpër çfarë ka kaluar. Prej storieve të njerëzve që i ka dëgjuar ai ka vendosur të shkruaj skenarin të bazuar në tri ngjarje të vërteta, që i ka shndërruar në një. Një nga ato ngjarje është një ngjarje e imja personale.
Jamie ka dashur të pasqyrojë shoqërinë mes dy shokëve, ai ka dashur të marrë anën humane dhe aktorë kryesorë janë dy fëmijë ku shoqëria e tyre vihet në rrezik. Ai ka dashur të jetë shumë universal, përveç që e ka pasqyruar luftën duke i përcjellë këta dy fëmijë.
Tema është universale dhe bazohet në jetën e dy fëmijëve, sepse secili njeri në botë e ka një shok të ngushtë dhe secili ka mundur ta humbas atë shok.
Radio Evropa e Lirë: Si është pritur nga audienca filmi “Shok” në festivalet tjera ndërkombëtare ku keni marrë edhe disa çmime?
Eshref Durmishi: Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë, kudo që kemi qenë nëpër festivale duhet ta përmend se kam qenë shumë i lumtur sa herë kemi dalur para publikut dhe e kemi parë gjysmën e sallës duke qajtur, e di që nuk tingëllon mirë të thuash se jam gëzuar kur e kam pa dikë duke qajtur, por ne e kemi arritur atë që kemi dashur, kemi arritur t’i prekim zemrat e njerëzve.
Sa është e vështirë të realizohet një film në Kosovë duke marrë parasysh buxhetin dhe përkrahjen?
Eshref Durmishi: Nuk është e lehtë, me buxhetin që Qendra Kinematografike e Kosovës ka dhe me buxhetin që ndahet për filma, është vërtet shumë e vështirë, kemi pasur vështirësi shumë për ta bërë këtë film sepse buxheti ka qenë jo aq sa kemi pasur nevojë, por njerëzit kanë qenë të vullnetshëm të punojnë në këtë film sepse iu ka pëlqyer skenari dhe projekti.
Filmi është mbështetur nga QKK-ja me 25 mijë euro, por neve na është dashur shumë më shumë buxhet për ta realizuar. Fatmirësisht e kam pasur bashkproducentin Harvey Ascot që pjesën tjetër e ka gjetur në Angli.
Sa keni pasur përkrahje institucionale për realizimin e “Shok” dhe sa ju nevojitet përkrahja pas nominimit për Oscar?
Eshref Durmishi: Qendra Kinematografike e Kosovës na ka ofruar 25 mijë euro dhe ajo ka qenë përkrahja e vetme financiare, ndërsa duhet ta falenderoj Policinë e Kosovës që ka bashkëpunuar duke na ndihmuar në lokacionet e xhirimet në lirim e rrugës.
Përkrahje tjetër nuk kemi pasur deri tash, tash na duhet sepse në pjesën e parë të filmit tash, publicisten e kemi paguar me paratë tona ndërsa po shpresojmë se Qeveria, Ministria e Kulturës na kanë premtuar se do të na përkrahin sepse nuk është më filmi im, por është i Kosovës.
Cilat janë pritjet nga edicioni i 88 i Oscar, ku edhe do të merrni pjesë. Sa jeni optimist për fitore?
Eshref Durmishi: Tash apetiti është rritur shumë, po shpresoj që ne vetëm kemi hy në histori të kinematografisë shqiptare, besoj shumë se kur të përmendet kinematografia shqiptare do të kujtohet menjëherë filmi “Shok”, që ka arritur i pari atje.
Po shpresoj që nuk do të përmendet si filmi i parë që ka arritur në Oscar, por si i pari që e ka sjellë çmimin Oscar në Kosovë.