Duka falënderon tifozët: Jeni imazhi i Shqipërisë

E publikuar: 21/06/2016 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka publikon një letër të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë anembanë botës ku i falënderon për mbështetjen e madhe që Kombëtarja ka pasur gjatë ditëve të europianit në Francë. Fillimisht Duka thekson se pa mbështetjen e tyre, tre ndeshjet e para do të kishin qenë ndryshe për kuqezinjtë dhe thekson se skuadra është mrekulluar nga sjellja dhe besimi i tyre në shkallët e stadiumeve por edhe në rrugët e qyteteve ku Kombëtarja ka udhëtuar.

“Ju falenderoj që në një moment të rëndësishëm gjetët kohën dhe mundësitë ekonomike të na mbështesni në këtë ndërmarrje të madhe për të gjithë. Të na mbështesni kur kishim më shumë se kurrë nevojë për ju. Fanela kuq e zi që ju keni veshur këto ditë në Francë është bërë e njohur dhe e dashur për të gjithë. Siç jeni bërë ju, me koret vibrante dhe banderolat plot sharm; me tifozerinë model dhe imazhet e bukura që po bëjnë xhiron e mediave botërore. Ekipi eshte përpjekur në fushë, por ju e keni fituar betejën në shkallët e stadiumit dhe sheshet e Francës. Pas këtij Europiani, për tifozët tanë do flitet po aq shumë sa për ekipin tonë. Ju faleminderit për imazhin mbresëlënës që po lini në këtë event”, thekson ndër të tjera numri 1 i FSHF-së. Në vijim ai ndalet edhe te entuziazmi i krijuar në trojet shqiptare, por shton se festa nuk ka mbaruar pasi Kombëtarja shpreson që të vazhdojë t’u dhurojë tifozëve të tjera netë magjike.

“Ekipi eshte perpjekur ne fushë por ju e keni fituar betejen në shkallët e stadiumit, në sheshe apo përpara ekraneve të TV. Jemi bashkë ndaj ndihemi më të fortë, më të përgjegjshëm dhe më pasionantë. Me një pasion që e kemi zbuluar së bashku dhe me të cilin, duam të shkojmë shumë më larg. Ndaj ju falenderoj edhe një herë! Pa ju ne nuk do kishim qenë këta që jemi sot”, thekson në fund të letrës së hapur Armand Duka.