“Duam autonomi”, FT: Serbët e Kosovës refuzojnë diplomacinë perëndimore

E publikuar: 20/01/2023 18:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Mitrovica veriore

Marko Jakshiq u shpreh i ngopur nga ajo siç e përshkruan ai shkatërrimi i të drejtave të pakicave për serbët në veriun e Kosovës, sa që iu bashkua një eksodi të nëpunësve qeveritarë që lanë punën gjë që la shumë shërbime publike të paralizuara.

Që disa muaj, qindra zyrtarë, përfshirë policë, në qytetin e Mitrovicës Veriore nuk janë kthyer ende në vendet e tyre të punës. Protesta e tyre, e cila nxiti tensione, ka ngritur shqetësimet në kryeqytetet perëndimore për një tjetër krizë të sigurisë për Evropën.

“Kemi nevojë për autonomi”, tha Jakshiq, i cili është zyrtar gjyqësor. “Dhe respekt ndaj Kushtetutës të Kosovës, e cila garanton përfaqësim të barabartë etnik në institucione”. Përndryshe, ky tension do të vazhdonte pafundësisht dhe me mundësi që të përkeqësohet.

Shumica shqiptare e popullsisë së Kosovës dhe pakica serbe kanë mospajtime dhe pakënaqësi të të ndërsjella që nga paslufta në fund të viteve ’90ta, që kur Kosova u nda nga Serbia dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Paqja fragjile u mundësua nga misioni prej 4000 ushtarësh i NATO-s, por të dy grupet etnike janë të prira të eskalojnë dhe kryeqendrat perëndimore shpesh duhet të ulin tensionet para se ato të shpërthejnë në dhunë, shkruan “Financial Times”, përcjell Klankosova.tv.

Të vetëdijshëm për ndikimin që Rusia ka ende në Serbi, ndërmjetësit perëndimorë janë dërguar në rajon, duke u bërë presion të dy qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të zbusin tensionet. Përderisa analistët ushtarakë dhe diplomatikë janë optimistë se një konflikt potencialisht i dhunshëm është shmangur momentalisht, serbët e Kosovës ankohen se të drejtat e tyre janë anashkaluar.

“Ato janë të përqendruara vetëm në njohjen e Kosovës nga Serbia”, u shpreh Jakshiqi për bisedimet ndërkombëtare. “Askush nuk është aty nga Mitrovica”.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga shumica e shteteve perëndimore. Mirëpo, Serbia thotë se kurrë nuk do të pajtohet, një pikëpamje kjo e përbashkët me grupin etnik serb në veriun e Kosovës, i cili insiston për më shumë autonomi nga Prishtina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se serbët në të dy anët e kufirit duhet të njohin pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

Të kërkosh më shumë të drejta të pakicave pa e njohur shtetësinë e Kosovës është si “të porositësh çaj pa filxhan”, u shpreh Kurti për “Financial Times”. “Ne duam të gjitha pakicat në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat e mundësuara në kushtetutën tonë dhe duam që ata të integrohen krejtësisht. Nuk ka alternativë tjetër”.

Lumi Ibër e ndan Mitrovicën, me rreth 100,000 banorë, në zona pothuajse ekskluzivisht etnike, me 30,000 serbë në Mitrovicën veriore dhe 70,000 shqiptarë në Mitrovicën jugore.

Tensionet në këtë qytet dhe në veriun e Kosovës u përshkallëzuan në muajin dhjetor kur serbët etnikë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët kryesore dhe pikat kufitare për të protestuar kundër vendimit të Prishtinës që obligonte zëvendësimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia dhe targave të makinave me ato të Kosovës.

Ata u zemëruan gjithashtu nga vendosja e njësive të armatosura të policisë, me dhunën që u shmang për pak pas një stuhie të aktivitetit diplomatik dhe presionit nga Beogradi për të larguar barrikadat.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, udhëtoi për në Prishtinë dhe Beograd, ku iu bashkua Christopher Hillit, ambasadori i Uashingtonit në Serbi. Të dy diplomatët e njohin mirë Ballkanin pasi që morën pjesë në përpjekjet për paqe në vitet e ’90ta.

Meqenëse nuk ka asnjë dëshmi që Rusia të ketë dorë në përshkallëzimin e fundit, Moska mund të përfitojë nga tensionet e vazhdueshme në rajon, tha Hill.

“Rusët thjesht kërkojnë çdo lloj problemi të këtillë për të zgjeruar shtrirjen e tyre”, tha Hill. “Kosova për ta është bileta e tyre për t’u përzier me Serbinë”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, historikisht një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ka provuar të distancohet nga agresioni i plotë i Moskës në Ukrainë dhe ka ndërmarrë hapa për të zvogëluar varësinë e vendit të tij nga energjia ruse.

“Ne e bëjmë politikën tonë në një mënyrë shumë të pavarur”, tha Vuçiqi. “Nëse dikush ju thotë se Putini po ndikon te ne, unë do të thosha se kjo është një gënjeshtër e plotë”.

Vëzhguesit e pavarur thonë se Beogradi nuk ka treguar ndonjë shenjë se ka po kërkon përshkallëzimin e konfliktit me Kosovën me urdhër të Moskës, dhe as nuk i mirëpret avancimet ruse. Këtë javë Vuçiqi hodhi poshtë përpjekjet e grupit paraushtarak rus Wagner për të rekrutuar mercenarë serbë për luftën në Ukrainë.

“Nëse Beogradi është kundër përshkallëzimit, nuk ka asnjë mënyrë që Rusia ta imponojë këtë”, tha Maxim Samorukov, ekspert rus në Beograd nga “Carnegie Endowment for International Peace”.

Sipas liderëve dhe diplomatëve në të dy vendet, ritmi i ngadaltë i integrimit evropian ka kontribuar në përshkallëzimin e tensioneve. Kosova nuk njihet nga pesë prej 27 shteteve anëtare te BE-së dhe nuk e ka marrë statusin e kandidatit. Rruga e Serbisë për anëtarësim në BE përparoi më shumë pasi që u bë kandidat në vitin 2012, edhe pse ka bërë pak progres së fundi.

“Njerëzit janë ngopur me premtime për një rrugë evropiane”, tha Vuçiqi. “Perspektiva evropiane? Po bëni shaka apo çfarë? Pas 22 vjetësh nuk ka asnjë datë, a ka diçka reale?”.

Presidenti i Serbisë tha se aftësia e tij për të ndikuar tek udhëheqësit serbë të Kosovës po zbehej. Durimi në terren po zhduket, tha ai. “Njerëzit në veri ishin shumë të zemëruar me mua”, tha ai. “Unë i luta që të hiqnin barrikadat. Ata donin të çliroheshin. Ata thanë: ‘Ne ju besojmë, por ju duhet të na besoni neve. Nuk mund ta durojmë më këtë’”.

Një koncesion që diplomatët amerikanë kërkojnë është një asociacion i komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, një platformë për të mbrojtur interesat e serbëve etnikë dhe për të rritur autonominë e komunitetit. Ky rrjet i planifikuar ishte pjesë e marrëveshjes së fundit të madhe mbi Kosovën, e arritur në Bruksel në vitin 2013, por nuk është krijuar deri tash.

Kurti thotë se Asociacioni nuk mund të themelohet, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë një asociacion në baza etnike.

Vendasit në Mitrovicën e Veriut shprehën skepticizëm rreth një përparimi të shpejtë. Zorana Simiq, një shitëse perimesh, tha se ishte mësuar me tensionet.

“Familja ime ka jetuar këtu shumë përpara se Kosova të krijohej ndonjëherë si shtet, dhe ne do të jemi këtu edhe shumë kohë pasi këta të largohen”, tha ajo. “Ne jemi serbë pa marrë parasysh zhvillimeve. Ne nuk duam të luftojmë për ta fituare të drejtën për ta thënë këtë”. /Klankosova.tv