Droni që do të shkatërrojë varkat e trafikantëve

E publikuar: 26/04/2015 02:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Droni i ri “B/MQ-9”, versioni i armatosur i modelit “Predator”, pritet të jetë mjeti me të cilin do të goditen varkat e trafikantëve të qenieve njerëzore në Libi.

Objekti, i ndërtuar nga General Atomics Aeronautical Systems, njihet ndryshe me nofkën “Reaper” dhe është i pajisur me të paktën tre raketa ajër-tokë të tipit anti-tank “Hellfire”.

Avioni në fjalë më 16 marsin e kaluar arriti rekordin e 1 milion orëve fluturim, 90 për qind prej të cilave në misione luftarake, një shifër kjo e barabartë me një të tretën e totalit të flotës së të gjitha versioneve “Predator” e që vazhdon të rritet me 22 mijë orë në muaj.

“B/MQ-9”, i pilotuar në distancë, është një version më i madh se paraardhësi i tij “RQ-1” dhe i projektuar fillimisht vetëm për mbikëqyrje me autonomi të gjatë dhe për lartësi maksimale.

Objekti kushton rreth 17 milionë dollarë, ka një propulsor me turbohelikë prej 950 HP, gjerësi 20 metra, gjatësi 10 dhe lartësi 3.8.

Shpejtësia maksimale që mund të arrijë është 450 kilometra në orë dhe lartësia operative rreth 15 mijë metra, me një autonomi fluturimi prej rreth 30 orësh.

I pajisur me sensorë dhe dispozitivë optikë shumë të sofistikuar, droni mund të regjistrojë dhe të transmetojë në kohë reale pamje me definicion të lartë. Telekamera me rreze infra të kuqe mund të identifikojë spektrin e nxehtësisë së një personi nga lartësi të mëdha. “Reaper” pilotohet në distancë, përmes satelitit apo përmes një ekuipazhi tokësor.

Njëri merret me pilotimin, ndërsa të tjerët kujdesen për sensorët dhe ngarkesën luftarake. Kjo e fundit, rreth 340 kg, mund të përbëhet nga 2 deri në 3 raketa të tipit “Hellfire”, ose bomba me rreze lazer. Por flitet edhe për raketa anti-radar dhe ajër-ajër të versionit më të fundit.

/Top Channel/