Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Istogun Gani Dreshaj e ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, organ ky që vendosi se kjo komunë duhet t’i nënshtrohet edhe njëherë rivotimit.
Dreshaj tha për Express se nesër do të ankohen në Gjykatën Supreme për këtë, por thekson se të gjitha vendimet e PZAP-it janë rrëzuar deri më tani.
“Nesër do të ankohemi në gjykatën supreme, deri më tani PZAP i ka humbur të gjitha vendimet, dhe mendoj se ata nuk kanë bazë për këtë. Një e di se këtë kryetarin Haki Rugova e muj sado që hy për çdo javë”, shtoi ai.
Ai tutje tha se së pari duhet të vendos Gjykata dhe do ta pranoj çfarëdo vendimi të shtetit.
Megjithkëtë, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në Istog, kryetar ishte rizgjedhur Haki Rugova i LDK-së, por me numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë rezultati u përmbys në favor të kandidatit të AAK-së, Gani Dreshaj.
LDK-ja ishte ankuar për këtë rezultat, duke pretenduar se votat me postë janë manipuluar nga kandidati Dreshaj.


















