Vendimi i Gjykatës së Apelit për t’ia konfirmuar dënimin me burg kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, nënkupton që kjo komunë do t’i bashkohet Drenasit për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen brenda pak javëve.
Gjykata njoftoi të martën se ka zbutur dënimin e Lushtakut për pesë vite pasi që atij i është hequr akuza për vrasje.
Bazuar në vendimin e ri, ai është dënuar me shtatë vjet heqje lirie.
Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpallja e verdiktit të gjykatës.
Komuna e Skenderajt është e dyta që do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda pak javëve.
Presidenti Thaçi ka caktuar datën 4 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve në Drenas, që vijnë si pasojë e dënimit me burg të Nexhmi Demakut, ish-kryetar i kësaj komune. /Insajderi.com

















