Drejtoria e Arsimit në Prishtinë: Ligjërata mbi Gjykatën Speciale u bë pa autorizimin tonë, aktiviteti u bë nga YIHR me leje të KDSH – do të marrim masa

E publikuar: 22/01/2026 19:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet, në një reagim në Facebook deklaron se nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrjen e ligjëratës mbi Gjykatën Speciale të mbajtur në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”.

Sipas informatave zyrtare të pranuara nga shkolla, “aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa miratimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi.

“Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda””, thuhet në njoftim.

“Transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore”, përfundon njoftimi.