Shtetasi turk S.O., drejtor i VisaMetric është ndaluar dje për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, ndaj tij prokuroria ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit. Seanca është mbajtur dhe gjykata pritet të marrë një vendim sot.
Lajmin për përfundimin e seancës e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi si dhe tha se sot pritet të merret vendimi.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i VisaMetric, Fisnik Salihu tha se janë në pritje të vendimit të gjykatës.
“Është mbajtë një seancë dhe ne po e presim vendimin”, tha ai.
I njëjti shtoi se edhe përkundër ndalimit të drejtorit S.O., VisaMetric është duke vazhduar punën dhe ofrimin e shërbimeve.
“Ndalimi i drejtorit nuk ka të bëjë asgjë me udhëtimin e shërbnimeve dhe puna e VisaMteric normalisht që vazhdon”, përfundoi avokati Salihu.
Prokuroria konfirmoi ndalimin e drejtorit të VisaMetric dje si dhe njoftoi se brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore,”derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, u tha në njoftim
Gjykata Komerciale ia ka ndaluar VisaMetric që t’ua marrë qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës.