Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla ka reaguar për gjuhën e përdorur nga deputeti Dimal Basha në studiot e RTK, duke e cilësuar të papranueshme.
“RTK është televizion publik që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim, dhe në debatet tona ngrihen e diskutohen temat e kohës. Deputeti, mospajtimet mund t’i shfaqë edhe hapur në RTK, por jo me krahasime të tilla me RTS-në që është medium i propagandës vrasëse të Millosheviqit dikur, sot Gobelsit të tij Vuçiq”, ka thënë Gërvalla.
Ai e falënderuar AGK-në për dënimin e kësaj gjuhe dhe mbështetjen e treguar ndaj RTK-së duke u bërë thirrje të njëjtëve që të reagojnë ngjashëm edhe ndaj gjuhës tashmë të përdorur nga deputetë të tjerë, në studiot tjera televizive.
“Deputetë të tillë të cilët e krahasojnë RTK-në me RTS-në nuk kanë vend në studiot tona!”, ka thënë në reagimin e tij Gërvalla.
Deputeti Dimal Basha e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK me televizionin shtetëror serb RTS, kur është pyetur nga gazetarja Blerta Foniqi Kabashi për kushtin e Asociacionit për anëtarësim e Kosovës, në Këshillin e Evropës.
“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kane veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore.” – ka thënë Basha.