Gjykata Themelore në Gjakovë që nga themelimi i saj në janar të vitit 2013 përballet me mungesën e zyrtarit për informim, pavarësisht asaj që disa herë është hapur konkurs për një pozitë të tillë. Kjo gjë po u shkakton telashe të mëdha kryesisht gazetarëve, të cilët nuk e kanë një adresë të saktë për marrjen e informacioneve në njërin prej institucioneve më të rëndësishme në Gjakovë.
Gazetarët thonë se ndonëse deri më tani kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kryetarin e Gjykatës dhe zyrtarët e tjerë, megjithatë mungesa e një zëdhënësi ka bërë që Gjykata Themelore të mbetet njëri ndër institucionet më të mbyllura në komunë. “Zëdhënësi do të ishte i dedikuar kryesisht për gazetarët dhe marrja e informacioneve nga ai do të ishte shumë më e lehtë. Në mungesë të tij, detyrohemi të kontaktojmë privatisht me gjyqtarët, sepse nëse do të tentonim të kontaktojmë zyrtarisht janë procedurat tejet burokratike që na e bëjnë pothuajse të pavlefshëm marrjen e informacionit”, ka thënë gazetari Gazmend Doli.
Ai ka shpjeguar se për të kontaktuar zyrtarisht me ndonjërin prej gjyqtarëve, paraprakisht duhet bërë kërkesë me shkrim e më pastaj duhet pritur minimalisht 5 ditë për të marrë përgjigje, konkretisht për të caktuar takim. Kjo periudhë, sipas tij, është e papranueshme për faktin se e njëjta është shumë e gjatë për gazetarët, e veçanërisht në rastin e gjykatave, kur lajmi duhet të jetë i shpejtë. Për këtë, sipas Dolit, zgjidhja e vetme në mungesë të zëdhënësit, mbetet kontakti privat me gjyqtarët, gjë e cila zakonisht varet prej disponimit të vet gjyqtarit apo ndonjë zyrtari tjetër në këtë institucion.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Themelore, Vaton Durguti, ka thënë se institucioni të cilin e drejton disa herë ka shpallur konkurs për këtë pozitë, por në të gjitha këto konkurse nuk është arritur të gjendet njeriu adekuat për këtë funksion. “Konkursi ka qenë së paku 4 a 5 herë. Kandidatët e paraqitur kanë qenë në numër të vogël, por asnjëri prej tyre nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara për këtë pozicion”, ka thënë kreu i Gjykatës.
Ai ka bërë të ditur se Gjykata dhe ai si kryetar nuk janë përfshirë fare në përzgjedhjen e këtyre kandidatëve sepse këtë detyrë e ka kryer një komision i veçantë në bashkëpunim me sekretariatin e Këshillit Gjyqësor.
Durguti ka premtuar se megjithatë Gjykata nuk do të dorëzohet në kërkim të një zëdhënësi, duke shpallur konkurse të shpeshta deri në gjetjen e tij.
Situatë e njëjtë, pa zëdhënës, është edhe në institucionin tjetër, atë të Prokurorisë Themelore, por zyrtarët e tij, të paktën zyrtarisht nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se janë të interesuar të kenë në mesin e tyre një zyrtar të tillë.