Ishte një kënaqësi të vizitoja Tiranën para tri javësh dhe shpresoj të kthehem së shpejti për të diskutuar më tej se si mund ta ndihmojmë së bashku vendin tuaj që të përparojë në rrugën drejt integrimit në BE.
Sot dua ta përgëzoj Shqipërinë për nisjen zyrtarisht të reformës për menaxhimin e fondeve publike të vendit. Për këtë, gjithë palët e interesuara, përfshirë përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe organe e agjenci të tjera qeveritare, Komisionin e Prokurimit Publik, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Parlamentin, u bënë bashkë për herë të parë. Për më tepër, donatorë kyçë, partnerë zhvillimi dhe organizata të shoqërisë civile do ta ndjekin gjithashtu agjendën e zbatimit të reformës. Gjatë muajve të ardhshëm puna e tyre do të jetë monitorimi i vazhdueshëm i këtij procesi reforme dhe çuarja e tij përpara me energji.
Komisioni Evropian do t’i sigurojë 40 milionë euro buxhetit shqiptar për të mbështetur këtë reformë nën kushte të rrepta. Çfarë do të thotë në praktikë dhe çfarë përfitimesh mund të sjellë ky program i ri për vendin dhe qytetarët e tij?
Synimi është që Shqipëria të ngrejë një sistem vërtet modern për administrimin e fondeve publike, në përputhje me standardet e BE-së. Një sistem që është transparent, në mënyrë që qytetarët të dinë se si shpenzohen taksat e tyre. Një sistem ku taksat mblidhen në mënyrë efektive, në mënyrë që shteti të mund të garantojë fonde të qëndrueshme për nevojat dhe shërbimet e zakonshme, si spitalet, shkollat dhe rrugët; një sistem që i jep fund keqmenaxhimit të shpenzimeve dhe kontribuon për nxitjen e investimeve dhe reformave aq të nevojshme. Së fundi, një sistem me masa të përmirësuara kundër mashtrimit dhe korrupsionit, në mënyrë që paratë e taksapaguesve t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve dhe të ketë më pak gjasa të përfundojnë në xhepat e gabuar.
Shkurt: menaxhimi modern dhe transparent i fondeve publike do të çlirojë fonde për investimet që nevojiten për të rritur standardet e jetesës për qytetarët shqiptarë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në periudhën 2012-2014 është shkaktuar çdo vit një dëm ekonomik rreth 80-100 milionë euro për shkak të procedurave të parregullta në menaxhimin e fondeve shtetërore.
Prandaj unë e mirëpres angazhimin e fuqishëm të Qeverisë shqiptare për ta riformatuar menaxhimin e financave publike në kuadrin e strategjisë që u paraqit dje. Komisioni do të monitorojë nga afër në mënyrë që të gjitha këto ndryshime të çojnë në një administratë publike më efikase, vlerë të shtuar për paratë e taksapaguesve dhe së fundmi, në shërbime më të mira për qytetarët.
Kur flitet për reformat që lidhen me BE-në në Shqipëri, së fundmi është arritur shumë, por mbeten edhe sfida të shumta. Nevojitet më shumë punë në fushat e reformës gjyqësore, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Reforma e administratës publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë po aq të rëndësishme. Siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit, ne mbetemi të angazhuar që ta shoqërojmë Shqipërinë në udhëtimin e saj në këtë rrugë të vështirë. Jam i bindur se vendi mund dhe do të arrijë rezultate – me vendosmërinë e autoriteteve, angazhimin e gjithë Parlamentit shqiptar dhe mbështetjen e qytetarëve.