Kryetari i Lëvizjes për Ripërtritjen Serbe, Vuk Draskovic, ka deklaruar se qytetarëve serbë duhet t’u tregohet se nga çfarë do të rrezikohet Serbia nëse vendoset që të ngritët muri kosovar ndaj BE-së.
Sipas tij, në mënyrën më të vrazhdë ajo që do të pësonte ekonomikisht dhe demokratikisht do të ishte Serbia dhe përveç kësaj viktima do të ishin edhe serbët e Kosovës, të cilët do të pësonin kaos dhe humbje shprese.
Ai në një shkrim për Danas ka rikujtuar fjalët e patriarkut serb, Irinej “Serbia pa Kosovën është trup pa kokë”, duke shtuar se kjo do të thotë se Serbia “është e vdekur tash e 15 vjet”.
Shefi i diplomacisë serbe ka deklaruar se Serbia është duke kaluar në vështirësi të mëdha, por ka shtuar se edhe pa Kosovën e humbur duhet të mësohet të jetojë.
Draskovic ka shkruar se Kosovën e kanë njohur shumica e vendeve të OKB –së dhe 23 nga 28 vende të BE-së.
Sa i përket trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, ai ka theksuar se atë mund ta mbrojë policia e këtij vendi dhe policia e përzier shqiptare-serbe e përkrahur nga BE.
“BE e NATO, askush tjetër. Nuk duhet të harrojmë kurrë se gjatë okupimit shekullor turk, edhe Patrikanën e Pejës, edhe Deviçin e Graçanicën e Deçanin, sikundër edhe qindra kisha dhe manastire në Kosovë, na i kanë ruajtur dhe na i kanë mbrojtur familjet dhe vojvodët vëllezër shqiptarë të manastireve”, ka shkruar Draskovic.