Ka ardhur koha që Serbisë dhe serbëve tu tregohet e vërteta, ka thënë në një intervistë për mediat serbe, Vuk Drashkoviq, udhëheqësi i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe.
“Nuk ka asnjë serb i vetëm që është gjykuar në Hagë, dhe që në sytë e shumicës dërrmuese të njerëzve nuk është hero. Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për politikën e humbjeve të tmerrshme dhe krimet. Ministrat e adhurojnë atë edhe në varr dhe thonë për të se ishte zgjedhur nga vetë Perëndia”, ka thënë ndër tjerash Drashkoviq.
Drashkoviq thotë se heshtet në lidhje me të vërtetën, dhe se shumica e krimeve në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë janë kryer nga pala serbe, transmeton Telegrafi.
Ai thekson se Serbia duhet të pranojë humbjen dhe se asgjë nuk mund të justifikohet.
“Politika e re duhet të pastrohet nga politika e mëparshme e disfatës dhe krimit dhe të gjitha armiqësitë e luftës duhet të kthehen në miqësi. Këtë e kanë bërë gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shohim se ku janë sot. Këtë duhet ta bëjë edhe Serbia. Serbia duhet që armiqësinë me shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët ta shndërrojë në miqësi. Sigurisht ende ka dhimbje për viktimat e bombardimeve të NATO-s, por numri i këtyre viktimave është shumë më i vogël se sa të themi, numri i viktimave të vrarë nga bombat serbe vetëm në Sarajevë. Për tre vjet, janë vrarë afër 12.000 civilë, nga të cilët më shumë se 2.000 fëmijë”, ka thënë ndër tjerash thotë Drashkoviq.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen e Rambujesë, duke rikujtuar refuzimin e Millosheviçit për ta pranuar atë.
“Në Rambuje, Perëndimi ofroi për të nënshkruar një autonomi të lartë për Kosovën brenda Serbisë, për të mbajtur të gjitha simbolet e sovranitetit, si dhe prezencën e 10 mijë ushtarëve dhe dy mijë policëve, të cilët do të ndihmonin trupat e huaja në zbatim të marrëveshjes dhe për çarmatosjen e UÇK-së. Kjo marrëveshje u refuzua nga Serbia dhe pastaj, si dënim, mbërriti propozimi inferior, i cili gjithashtu mendoj që, për të parandaluar bombardimet e NATO-s, duhej pranuar – por Serbia nuk e pranoi”, ka thënë Drashkoviç.
Njëra ndër arsyet se pse e kishte refuzuar këtë marrëveshje Millosheviçi, sipas Drashkoviç, ishte fakti se ai dëshironte edhe më tej të “afrohej” me Rusinë.
“Sapo filluan bombardimet, Kuvendi Federal pranoi propozimin e një konfederate me Rusinë dhe Bjellorusinë”, ka theksuar Drashkoviç.