Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO) dhe ish-kreu i diplomacisë së ish RFJ-së, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se Serbia duhet të distancohet patjetër nga Rusia dhe Putini, ose, siç tha ai, do të bëhet “Venezuelë ballkanike” ose “Siri ballkanike”.
Sipas tij, transmeton KDP deklaratën e Drashkoviqit për tv e pavarur serb N1, “Serbia nuk është e obliguar ta njohë Kosovën, por nuk duhet ta pengojë Kosovën që të kërkojë anëtarësimin nëpër institucionet ndërkombëtare”.
“Është alarmante e dhëna se 80 për qind e qytetarëve të Serbisë janë kundër çfarëdo sanksioni kundër regjimit të Kremlinit. Këta janë njerëz që mbështesin agresionin e Putinit kundër Ukrainës, duke e mbështjellë atë në vëllazërinë dhe besnikërinë historike ndaj popullit rus”,- ka thënë Drashkoviq duke shtuar se e ka të vështirë të shpjegojë arsyet e një qëndrimi të këtillë të disponimit të serbëve.
“Putini e paralajmëroi agresionin kundër Ukrainës me fjalët – se Ukraina është një gabim historik, një shtet i rremë që nuk duhet të ekzistojë. Para kësaj deklarateje të Putinit, këtu vite të tëra propaganda e KGB-së, e UDB-së serbo-ruse, përsëriste me kokëfortësi se Bosnja është shtet i rrejshëm, se Kosova është shtet i rrejshëm, se Mali i Zi është gabim historik. Këta njerëz nuk janë për evropianizimin e Ballkanit, ata janë për putinizimin e Ballkanit”, vlerëson Drashkoviq.
I pyetur pse Ballkani është kaq interesant për fuqitë e mëdha, si në lindje ashtu edhe në perëndim, shkrimtari dhe politikani serb thotë se po flet për një “qasje civilizuese”.
“Perëndimi nuk është sigurisht ai që do që ne këtu të urrejmë njëri-tjetrin,sërish të vrasim njëri-tjetrin, Perëndimi dëshiron që t’i bashkohemi këtij qarkut civilizues të popujve në Evropë. Rusia dëshiron gjithë të kundërtën. Rusia e Vladimir Putinit dhe jo të atij të vitit 2000, por të këtij të tashmit. Është në interesin e tij që në Ballkan vazhdimisht të nxiten konflikte, urrejtje, të pritet ndonjë moment më i favorshëm për ndonjë fatkeqësi këtu, në mënyrë që Rusia të ankorohet këtu, para së gjithash tek populli serb”, shprehet i bindur Drashkoviq.
Sipas tij, ajo “putinofilia” u bë agresive ’pas 16 tetorit të vitit 2014, kur Putini vizitoi Beogradin dhe kur presidenti i atëhershëm serb, Tomislav Nikoliqi e puthi atë nëntë herë dhe i organizoi paradë ushtarake.
Megjithatë, argumenti më i shpeshtë pse Beogradi zyrtar mban anën e Rusisë, vlerëson Vuk Drashkoviq, është ai se Moska është kundër pavarësisë së saj.
“Njerëzit në Serbi janë viktima të këtyre të pavërtetave themelore që propaganda i ka prodhuar në mite thuajse kulte kombëtare. Ajo se Rusia e mbron Kosovën është e pavërtetë. Një ditë pas kapitulimit në Kumanovë, me Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me votën ‘pro’ të Rusisë, Serbisë iu mor integriteti territorial dhe sovraniteti mbi Kosovën dhe u detyrua të tërheqë të gjitha simbolet e veta pushtetit”, argumenton Drashkoviq.
I pyetur se kush e ka fajin që ndikimi rus është forcuar kaq shumë në Serbi, Drashkoviq drejton gishtin kah qeveria e tashme dhe ajo e mëparshme në Beograd.
“Kisha pati reagime të ashpra kundër planit të Ahtisaarit, ndërsa reagime tepër të rrepta erdhën nga Moska. Rusisë nuk i përgjigjej Marrëveshja e Brukselit, ndërsa një nga minat e para u vendos nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomislav Nikoliq. Jo rastësisht dikush ushtron presion edhe mbi shqiptarët që të zbatohet ajo që është dakorduar në Bruksel”, deklaron Drashkoviq.
Ai ka komentuar edhe vizitën e paralajmëruar të kryediplomatit serb, Sergej Lavorov në Serbi:
“Në këtë situatë, vetë njoftimi për vizitën e Lavrovit në Beograd ka trazuar pasionet në Evropë dhe Amerikë, kundër Serbisë. Dhe ka për t’i trazuar nëse vizita bëhet. Mendimi im është se Serbia nuk duhet të hezitojë asnjë minutë. Fjalët se ne jemi neutralë, nënkuptojnë – jemi neutral në anën e agresorit, regjimit dhe soldateskës së Putinit që një vend, që ishte anëtar i OKB-së, po e shndërron në Hiroshimë’. Po sipas tij, ‘Serbia është e vogël për të sanksionuar Rusinë, por sanksionet janë një distancim moral, një distancim qytetërues nga ai regjim krimesh që ka shkelur jo ligjin ndërkombëtar, por të gjithë Kartën e OKB-së. Këtu nuk ka asnjë luhatje. Putin tha se ukrainasit janë një gabim historik që ai do ta korrigjojë. Hitleri më 1938 tha shprehimisht të njëjtën – se austriakët janë po ashtu një gabim. Putini me deklaratën se po shkon të mbrojë botën ruse në Donbas e kopjoi sërish Hitlerin, sepse tha se po shkonte në Sudete për të mbrojtur botën gjermane”, ka thënë Drashkoviq.