Dragash, mallrat ilegale nga Serbia u konfiskuan – s’u asgjësuan kurrë

E publikuar: 21/03/2024 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë kaluar më shumë se një vit dhe mallrat e konfiskuara nga Inspektorati i Tregut ne Dragash ende nuk janë asgjesuar.

Ato kishin ardhur kundërligjshëm në këtë qytet më datë: 30 janar 2023 nga Serbia përmes Kryqit të Kuq.

Në vendimin për ndalimin e veprimtarisë së këtij institucioni të cilin e ka siguruar T7, thuhet se dy ngasësit e kamionit nuk kanë pasur leje për të vepruar në territorin e Kosovës.

“Inspektorati i Tregut të Komunës së Dragashit më datë 30.01.2023, rreth orës 17:15, pas thirrjes nga ana e Stacionit Policor në Dragash kanë isnpektuar mjetin transportues të llojit SCANIA pronë e ‘Crveni Krst Srbije (Kryqi i Kuq i Sërbise) sipas dokumentacionit, mirëpo personat e lartëshënuar nuk kanë arritë të prezantojnë dokumentacion të saktë rreth regjistrimit të kësaj veprimtarie për territorin e Republikës së Kosovës pranë organeve ligjitime të Republikës së Kosovës. Kanë prezantuar ID të kësaj organizate të lëshuar nga Kryqi i Kuq të Sërbisë, mirëpo që vërtetojnë se nuk janë valide për territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e siguruar nga T7.

Tutje, aty theksohet se të njëjtit iu janë referuar Kosovës si “Kosova i Metohija”

“Nuk kanë ndonjë leje veprimi nga organet kompetente të Republikës së Kosovës, nuk kanë prezantar leje nga organizata ndërkombëtre, nuk kanë arritë të dëshmojnë fatura të sakta për këtë mall i cili ka qenë në ngarkesë. Fletëdërgesën më të dhënat e pasakta, ku edhe Republikës së Kosovës i referohen me emërtim jo adekuat si Kosova i Metohija”, thuhet në vendimin e siguruar nga T7.

Në vendimin e Inspektoratit, atë ditë në automjet kanë qenë sekretari i Kryqit të Kuq të Serbisë për Dragash, Zeçir Zurapi dhe shoferi Sinisha Danqetoviq.

T7 ka siguruar edhe fotografitë e kamionit.

Këta të fundit, përmes avokatit Zivojin Jokanoviq ishin ankuar nē Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.

Megjithatë, ankesa ishte refuzuar nga ky institucion.

“Refuzohet ankesa e parashtruar nga z. Zivojin Jovankoviq, përfaqësues i autorizuar i Sinisha Dançetoviq, me adresë në rrugën Lole Ribara – Mitrovicë dhe Zeçir Zurapi, nga fshati Rapqë, Komuna e Dragashit. Mbetet në fuqi aktvendimi i nxjerr nga Inspektorati i Tregut nga Komuna e Dragashit, thuhet në një vendim të MINT-it.

Përkundër vendimit të ministrisë, tash kur janë bërë më shumë se një vit, mallrat ende nuk janë asgjësuar.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xhaladini për T7 ngre dyshime për ndërhyrje.

“Inspektori i Komunës e ka bë punën e vet. I ka ndalë. I ka konfiskuar. I ka deponuar. Pastaj, ndërhyrjet nga lartë, sigurisht kanë ndikuar. Tash më duket si punë e harruar”, ka thënë Xheladini në një prononcim për T7.

T7 gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Rapç aty ku Zeçir Zurapi punon si mësimdhënes në shkollën “9 Maji”, por i njëjti nuk ka qenë i pranishëm.

Ky institucion arsimor punon me sistem paralel të Serbisë.

Në vitin 2017, Zeqir Zurapit i ishte bastisur shtëpia nga policia në fshatin Rapqë të Dragashit.