Gazeta Paparaci ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, në të cilën janë sqaruar të gjitha detajet e vrasjes së Sadri Sadriut, axhës së Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në dosje thuhet se i pandehuri Jeton Misini i është vërsulur Sadriut, ndërsa i dyshuari Festim Ramadani me armë zyrtare automatike ka shtënë disa herë në drejtim të Sadriut. Këtë e ka bërë në prani të familjarëve të tij.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi” në fshatin Bibaj, komuna e Ferizajt, i pandehuri Festim Ramadani, për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta posa vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri Jeton Misini, në dorë ka mbajtur një mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtimin e të ndjerit, kurse i pandehuri Festim Ramadani me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin Sadri Sadriu, dhe me atë rast ka vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ka vdekur në vendin e ngjarjes.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Paparaci.
Në vendin e ngjarjes, sipas dosjes së Prokurorisë, ishin edhe dëshmitarët Ilir Sadriu, Arsim Sadriu dhe Naim Sadriu, të cilët kanë deklaruar se rreth orës 19:20, kanë arritur në vendin e ngjarjes së bashku me të ndjerin Sadri Sadriu.
Ata kanë deklaruar se për një moment, nga dy automjete të ndryshme kanë zbritur Festim Ramadani dhe Jeton Misin dhe posa kanë zbritur, Jetoni është vërsulur me një teshlicë në dorë, kurse Festimi ka shtënë me armë automatike në drejtim të të ndjerit Sadri Sadriu, i cili, për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Prokuroria thotë se kjo dëshmi vërtetohet edhe nga provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq në një njoftim të shtunën pasdite, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve Festim Ramadani dhe Jeton Misini, për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt.
Ndërkaq në një njoftim të mëhershëm të Prokurorisë të shtunën thuhet se ende nuk dihen motivet, por se po punojnë në koordinim me Policinë në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave.