Dortmund fiton në shtesë, goleadë e Napolit, barazim për Liverpool

E publikuar: 18/09/2015 01:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Borussia Dortmund debuton me fitore në Europa League falë golit të minutës së tretë në kohën shtesë nga mbrojtësi koreano-jugor, Park Joo-Ho. Kjo rrjetë i dha gjermanëve fitoren 2-1 përballë Krasnodar në Grupin C, ndërsa gjatë pjesës së parë Ginter iu përgjigj avantazhit të miqve nga Rusia me Mamayev. Me këtë fitore, Borussia Dortmund vazhdon ecurinë perfekte në fillim të këtij sezoni me 10 fitore në po kaq ndeshje. Në takimin tjetër të grupit, PAOK-u ku Ergys Kaçe nuk ishte as në stol, barazoi pa gola në Azerbajxhan përballë Qabala.

Napoli, gjysmëfinalist i sezonit të kaluar, e nisi edicionin me goleadë. Italianët fituan 5-0 në San Paolo përballë Bruges. Dries Mertens realizoi dy herë, ndërsa napolitanët kryesonin me tre gola vetëm pas 25 minutave lojë. Në takimin tjetër të Grupit D, Midtjylland triumfoi 1-0 përballë Legia Warszawa. Sfida në favor të danezëve u vendos nga autogoli i Kucharczyk në minutën e 60-të.

Vetëm barazim për Liverpool-in, që u frenua me rezultatin 1-1 në fushën e Bordeaux. Avantazhit të anglezëve me Lallana-n, francezët i’u përgjigjën me rrjetën e brazilianit Jussie. Në takimin tjetër të Grupit B, Sion-i mposhti 2-1 Rubin Kazan. Suksesi i zviceranëve erdhi falë dygolëshit të Moussa Konate.

Rezultate surprizë në Grupin A, ku Ajax mori një pikë falë golit të Schone në minutën e 84-t. Sfida në Amsterdam përballë Celtic u mbyll në barazim 2-2, me miqtë që ishin dy herë në avantazh.

E papritura e madhe erdhi nga Turqia, ku Fenerbahce u gjunjëzua me rezultatin 3-1 nga Molde. Miqtë zhbllokuan rezultatin me 11-metërshin e Hoeiland, ndërsa Nani riktheu përkohësisht barazpeshën. Norvegjezët vazhduan dominimin në fushë dhe shënuan dy herë me Elyounoussi-n dhe Martin Linnes.

Në Grupin F, Marseille fitoi 3-0 në fushën e Gronigen, me ndeshjen që u mbyll pas vetëm një ore lojë. Ndërkohë, Rapid Vienna regjistroi një fitore 2-1 me përmbysje përballë spanjollëve të Villarreal. Dy gola nga Schwab dhe Hofmann me penallti në harkun e tre minutave i dhanë fitoren austriaklëve.

Këto janë rezultatet e takimeve të përfunduara:

Ajax 2 – 2 Celtic

Fenerbahce 1 – 3 Molde

Bordeaux 1 – 1 Liverpool

Sion 2 – 1 Rubin Kazan

Borussia Dortmund 2 – 1 FC Krasnodar

FK Qabala 0 – 0 PAOK Thessaloniki FC

FC Midtjylland 1 – 0 Legia Warszawa

SSC Napoli 5 – 0 Club Brugge

Rapid Wien 2 – 1 Villarreal

Viktoria Plzen 2 – 0 Dinamo Minsk

FC Groningen 0 – 3 Marseille

Liberec 0 – 1 Braga