Dorëhiqet kryekuvendarja e Shqipërisë

E publikuar: 26/07/2024 22:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj për shkak të arsyeve shëndetësore.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Nikolla njoftoi se pas tri vitesh në këtë detyrë të lartë, është detyruar të largohet për shkak të një situate personale shëndetësore që e pengon të vazhdojë me angazhimin e kërkuar nga kjo pozitë.

“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon. Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.

Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë. Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve.” – ka shkruar Nikolla në Facebook.