Dorëheqja e drejtoreshës së Financave, Hyseni: Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme

E publikuar: 11/03/2025 08:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dorëheqjës së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa Herolinda Murati-Leka, është deklaruar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni.

Ai theksoi se siç është bërë tashmë e ditur, ka pranuar të hënën dorëheqjen e drejtoreshës për Financa dhe Buxhet.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura dhe i kam ndjekur me vëmendje të gjitha akuzat e bëra publike. Meqenëse organet e rendit janë të njoftuara dhe po trajtojnë këtë çështje, presim që e vërteta të përcaktohet përmes proceseve ligjore dhe vendimeve përkatëse”, tha Hyseni.

I pari i komunës thekson se beson te faktet dhe te e vërteta të cilën e kanë parasysh të gjitha palët, pavarësisht se si e proklamojnë.

“Si kryetar i komunës, siguroj qytetarët se institucioni ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, thekson se përgjatë javëve të fundit, fokusi i tij kryesor ka qenë siguria e një menaxhimi të drejtë dhe të përgjegjshëm të buxhetit komunal, i cili tashmë është votuar dhe do të shërbejë për të përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetarëve tanë.

“Komuna e Gjilanit, mbetet e përkushtuar për të vepruar me integritet, duke garantuar llogaridhënie dhe qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Hyseni.

Ndryshe, ndaj kësaj situate ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, duke thënë se asnjë akvitistë i Lëvizjes nuk ka kryer një vepër të tillë, ashtu siç kanë deklaruar nga partitë opozitare.

“Pretendimi për hapjen e zyrës do të vërtetohet së shpejti. Drejtoresha pretendon se zyra e saj është hapur pa leje, ndonëse ajo ishte e mbyllur. Ne nuk besojmë se ndonjë zyrtar i administratës komunale do të kryente një veprim të tillë. E vërteta do të dalë shpejt në pah”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndër të tjera, nga VV në Gjilan shtojnë se asnjë aktivistë nuk ka qenë i punësuar në këtë drejtori dhe sipas tyre, kjo është tendencë për të sulmuar Lëvizjen.