Evidentohen rastet e para të dopingut në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Pekin. Beteja kundër substancave të ndaluara godet Kenian, vendin që pas katër ditëve të para të evenimentit është lider për medalje. Joyce Zakary në garën e 400 metrave dhe Koki Manunga në disiplinën e 400 metrave me pengesa rezultuan pozitive në kontrollet përpara garave. Zyrtarët e turneut folën për një substancë mbuluese, që mendohet se është nandrolon.
Testet u kryen nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës përpara startit të Botërorit, në hotelin ku qëndronte delegacioni afrikan. Dy sportistet nga Kenia pranuan pezullimin provizor. Të hënën e kaluar 29-vjeçarja Zakary theu rekordin kombëtar në garën e 400 metrave, të vendosur 31 vjet më parë. Të martën, atletja duhej të garonte në gjysmëfinale, por nuk u paraqit në start.
Pavarësisht përdorimit të substancave që stimulojnë paraqitjen sportive, rendimendi i 22-vjeçares Koki ishte më i dobët. Ajo zhgënjeu në bateritë kualifikuese, duke u renditur e shtata.
Pas polemikave në startin e Botërorit, dy rastet e dopingut rrisin dyshimet për evenimentin. Në qendër të hetimeve dhe akuzave nga televizioni gjerman, ARD dhe gazeta britanike “The Times” ishte pikërisht përfaqësuesja e Kenias.