Figura e Adem Jasharit, kryekomandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpeshherë identifikohet vetëm me luftën dhe rezistencën e armatosur. Megjithatë, përtej imazhit të luftëtarit, qëndron një personalitet i pasur me vlera e virtyte, një njeri thellësisht i lidhur me popullin dhe kauzat humanitare, dimension i cili hodhi themelet për vendimin e tij historik për t’iu kundërvënë padrejtësisë.
Don Lush Gjergji, njëri nga veprimtarët më aktiv në pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve të 90-ta, ka kujtuar në përvjetorin e 18-të të pavarësisë së Kosovës, edhe angazhimin e çlirimtarit në këtë mision.
“Në rend të parë, ai ishte një njeri i cili me gëzim ka marrë pjesë në pajtimet e gjaqeve. Ka qenë i pranishëm në veprimtarinë krijuese dhe bamirëse nëpërmes shoqatës ‘Nënë Tereza’”, thotë Lush Gjergji që është edhe vikar i Ipeshkvisë së Kosovës.
Në mesazhin nga Kisha e Letnicës, ai ka kujtuar se Adem Jashari ka qenë një njeri i cili e ka pasur mendjen e ndritur dhe zemrën e hapur për ta ndihmuar popullin. Kjo, edhe duke u flijuar me pjesën më të madhe të familjes.
”Opsioni i tij që të përgatitet për luftë dhe ta fillojë me një mënyrë të jetë kryekomandanti i UÇK-së, i shpreh të gjitha ato rrethana të cilat ai i përjetonte në mënyrë shumë personale, familjare, shoqërore, por edhe kombëtare shqiptare, si një dramë e vërtetë kur njeriu nuk ka liri dhe kur nuk ka pavarësi. Prandaj, shembulli dhe dëshmia e tij edhe para luftës, edhe në luftë dhe sidomos flijimi i tij dhe i tërë familjes së Adem Jasharit apo Jasharajve, është një dëshmi e fuqishme e identifikimit të vetvetes me popullin tone”, thotë ai.
Kjo histori, e shkruar me dashuri dhe e vulosur me gjak e martirizim, sipas Lush Gjergjit, “përbën një dëshmi të jashtëzakonshme, pa të cilën Kosova e sotme si shtet i lirë dhe i pavarur nuk do të ekzistonte”.


















