Doli nga shtypi libri “Djersa e Gurit” – Muhamet HALILI Vepra të reja

E publikuar: 06/12/2015 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

HALILI KONSOLIDON MËTEJ MËNYRËN E TË RRËFYERIT
Muhamet HALILI i njohur më shumë për publikun si gazetar, vazhdon tutje hapërimin e tij në fushën e letërsisë dhe atë, krejt natyrshëm, përmes prozës, përkatësisht tregimit, duke sjellë vlera të reja në letërsinë shqipe. Derisa vitin e kaluar nxori në dritë përmbledhjen e parë me tregime “Fundi i heshtjes”, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, e cila u prit mjaft mirë si nga lexuesi, ashtu edhe nga kritika, këtë vit, përmes të njëjtit botues, na vjen me përmbledhjen e dytë me tregime, “Djersa e gurit”.
Sabit Rrustemi – redaktor, thotë se Libri “Djersa e gurit”, është i koncipuar përmes tri cikleve , brenda të cilave gjejnë hapësirë 22 tregime apo thënë më drejtë 22 tablo të përditshmërisë sonë, Halili konsolidon më tej mënyrën e të rrëfyerit, duke shtjelluar tema të nduarduarta me një gjuhë të qartë e të pasur fjalësh po edhe ngjarjesh. Njëkohësisht, përmes personazheve të kësaj kohe, ai intrigon po edhe përvetëson lexuesin me lehtësinë e të rrëfyerit si dhe me dramacitetin që ngërthen në vete, secili tregim, saqë ai e ka të vështirë për t’iu shkëputur librit derisa t’ia prekë fundin.
Publicisti dhe krijuesi i njohur gjilanas, Hasan Bunjaku, si njëri nga lexuesit dhe vlerësuesit e parë të këtij libri, thotë se Muhamet Halili me mjeshtri i shmanget ndikimit “deformimi profesional” prej gazetari duke përdorur një gjuhë pa shumë stilema, por të afërt me lexuesin. Në anën tjetër, po sipas Bunjakut, autori nuk iu shmanget leksemave, tog-fjalëve e frazeologjive vendore , duke i lënë me qëllim rrëfimet e papërmbyllura, për t’ia mundësuar e lejuar imagjinatës së vetë lexuesit, të cilin ai nuk e do vetëm si shijues pasiv, por si subjekt aktiv, si personazh po edhe si “autor” të vetë rrëfimeve, të cilat si zhanër akoma janë mjaft deficitar në letërsinë tonë.

12336238_10204827432956636_197353952_n
Edhe recensentja tjetër e librit, Naxhije Gashani shprehet se në tregimet e Muhamet Halilit, lexuesi sheh realitetin aktual, rrugët e fatit të heronjve, që lëvizin brenda hapësirave shqiptare të ngarkuar me hallet e përditshme, me dëshirat, ëndrrat e të gjitha këto të jetuara kufijve të traditave e dokeve tona zakonore (disa prej të cilave në rrugën e shprishjes së tyre). Kjo mënyrë e të rrëfyerit, sipas Naxhije Gashanit, më lehtë përceptohet dhe akceptohet nga vetvetja si dhe lexuesi.
Mjeshtëria në ndërthurjen e temave, në portretizimin e personazheve, dhe ideja letrare e fshehur fabulës së tregimeve, është argumenti më real që shpërfaq para lexuesit një autor me një afinitet të stërholluar narrativ, i cili zbret qetas në fushën e prozës shqipe, shprehet Gashani.
Përndryshe, Muhamet Halili u lind në Gjilan ku edhe jeton e punon. Në fushën e publicistikës ka hyrë përmes enigmatikës, si anëtar i redaksisë së revistës “Thes-ari”, për të vazhduar më pas si gazetar në dyjavoren “Bashkimi” (1998 – 1999). Në vitet 2000-2005 ishte pjesë e stafit redaktues në Radio-Gjilan, paralelisht edhe gazetar i Agjencisë së Lajmeve Kosovapress (2000–2010). Ndërsa nga viti 2010 është themelues dhe drejton Portalin e Lajmeve Rajonale 2LONLINE.com, që në fokus ka komunat e pjesës lindore të Kosovës.

1muja