Përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë kanë mbajtur një konferencë lidhur me dokumentet e klasifikuara të presidentit Joe Biden, të cilat kanë bërë bujë ditëve të fundit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve në lidhje me rrezikun e mundshëm të sigurisë kombëtare të paraqitur nga dokumentet e klasifikuara të gjetura nga ekipi ligjor i Biden, ai ka thënë se këto pyetje duhet t’i drejtohen Departamentit të Drejtësisë.
“Presidenti ka folur se sa seriozisht e merr trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe si dikush që është në dijeni të procesit, ai bëri gjënë e duhur duke i kthyer ato menjëherë”, ka thënë Kirby, shkruan BBC.
Të mërkurën, ndihmësit e Biden, kanë gjetur grumbullin e dytë të dokumenteve të klasifikuara të qeverisë. Rasti i parë i dokumenteve është në shqyrtim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Nuk është ende e qartë se kur dhe ku janë gjetur edhe dosjet shtesë nga ndihmësit e Biden.
Gati rreth 10 prej dosjeve të para u zbuluan në një dollap të mbyllur në Qendrën “Penn Biden” në Washington në nëntor, nga ekipi ligjor i Bidenit, ka thënë avokati i tij.
Këto dokumente thuhet se përfshijnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar.