Në pikën kufitare “Deve Bair” janë kapur 300 copë mbushës të fytyrës (filer) vlera e të cilëve arrin 9.000 euro. Nga Dogana e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se mbushësit janë gjetur tek një shtetas i Kosovës, i cili nuk e ka paraqitur mallin të cilin tashmë e ka konfiskuar Dogana.
“Personi, ndryshe shtetas kosovar me inicialet A.G., ka tentuar të hyjë në vend pa deklaruar mallin. Në pyetjen e doganierit nëse kishte diçka për të deklaruar, ai u përgjigj se nuk kishte asgjë për të deklaruar përveç bagazheve personale. Gjatë kontrollit rutinë të kryer nga doganierët, në valixhen e pasagjerit dhe pas sediljeve të pasme u zbuluan 300 copë mbushëse fytyre, kryesisht për buzë, vlera e të cilave sipas faturës së gjetur në automjet është 9000 euro”, njoftojnë mes tjerash nga Dogana.