Shtatë persona janë pagëzuar në Meshën Qendrore të Festës së Pashkëve në Katedralen “Nënë Terezë” në Prishtinë.
Mesha filloi me ndezjen e qiriut të madh, gjersa dritat ishin të fikura, e më vonë edhe të qirinjve të tjerë nga besimtarët e fesë katolike.
Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës që drejtoi meshën tha se kremtimi i festës së Pashkëve ka filluar plotë një javë më parë.
Ai përmendi ikjet nga Kosova e edhe krimin e korrupsionin. Tha se po keqpërdoren të mirat e përbashkëta.
“Kur e vëzhgojmë realitetin tonë atëherë shohim se si keqpërdoren të mirat e përbashkëta, se si rrënohet e ardhmja nga papërgjegjësia. Shohim po ashtu se si njerëzit të zhgënjyer lëshojnë vatrat e tyre familjare dhe ikin, “me krye n’grusht”, në drejtim të panjohur. Pothuajse për çdo ditë, dëgjojmë për vrasje dhe vetëvrasje, për mosfunksionimin e sistemit në tërësi, korruptimin e pushtetarëve, arrogancën e të pushtetshmëve dhe pamirësinë e të pasuruarve, e shumë gjëra të ngjashme me këto”, tha ai, transmeton KP.
Dodë Gjergji ftoi të gjithë që të punojnë me dashuri pavarësisht padrejtësive që përjetojnë dhe që nuk kanë kushte.
Foli edhe për përgjegjësitë shoqërorë dhe politikë, ku tha se duhet ndryshojnë mendësinë egoiste dhe dëshirën lakmitare.
“Ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë dhe me dashuri të shpresojnë se mund të ndërtojnë një të nesërme më të mirë, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që duhet t’i përballoj e sotmja; që mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndosh, pavarësisht padrejtësive që i përjetojmë; që mund të kemi një jetë më të mirë, pavarësisht se këtë copë jete që quhet “sot” nuk kemi kushtet për ta përdorur më së miri. Ndaj, me shpresë lutemi që shpërdoruesit e paqes dhe keqpërdoruesit e lirisë të kthehen në shërbyes dhe promovues të këtyre vlerave në shoqërinë tonë. Përçarësit dhe mbjellësit e urrejtjes mes vëllezërve, le ta rizbulojnë dashurinë dhe vlerën e pajtimit, që ushtruesit e përgjegjësive shoqërore dhe politike të ndryshojnë mendësinë egoiste
dhe dëshirën lakmitare në shërbim dashurie dhe përgjegjësie”, tha ai.
Dodë Gjergji tha se asnjëherë nuk duhet dorëzuar dhe gjithmonë duhet pasur shpresë.
Duke uruar për shumë mot e me zemër t’ bardhë Pashkët, mesha përfundoi pas dy orë e gjysmë.
Festa e Pashkëve është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit e që sipas Besëlidhjes së Re, ka ndodhur tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.