“Do t’iu vras” – i dyshuari kërcënon hetuesin dhe patrullën brenda Stacionit Policor në Dragash

E publikuar: 08/02/2026 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Stacionin Policor në Dragash, ku një person i shoqëruar për procedura policore ka kaluar në kërcënime të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve policorë.

Ngjarja ka ndodhur më 07.02.2026, rreth orës 18:30, kur i dyshuari Egzon Qafleshi (36 vjeç) është sjellë në stacionin policor. Sipas burimeve, sapo është futur në zyrën e hetuesisë, ai ka kanosur hetuesin e rastit me fjalët: “do t’iu vras”.

Por kërcënimet nuk kanë përfunduar aty.

I njëjti, gjatë gjithë transportit drejt stacionit, ka vazhduar të kanosë edhe patrullën policore që kishte kryer shoqërimin e tij, duke krijuar situatë tensionuese për zyrtarët në detyrë.

Për rastin është njoftuar Njësiti Rajonal i Hetimeve, i cili ka marrë në trajtim procedurën, ndërsa pas kompletimit të raporteve zyrtare është kontaktuar Prokurori kujdestar. Me urdhër të tij, rasti është iniciuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.