Qeveria e Kosovës më 31 korrik pas tensioneve e barrikadave në veri vendosi që implementimi i reciprocitetit për dokumente me Serbinë të shtyhet deri më 1 shtator.
Ndërsa kanë mbetur edhe 11 ditë deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka dhënë deklarata kundërthënëse se çfarë mund të ndodh më 1 shtator.
Janë pikërisht kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që kanë dhënë deklarime të ndryshme se çfarë mund të ndodh më 1 shtator, nëse situata mund të tensionohet apo jo.
Kreu i Qeverisë më 16 gusht ka deklaruar se 1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare me Serbinë.
“1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare – ose do të nxjerrim dokumente hyrje-dalje, ose të dyja palët do t’i anulojnë” , ka deklaruar Kurti për BBC Serbia.
Por krejt të kundërtën ka thënë ministri i tij, Xhelal Sveçla, që është ministër i Brendshëm, i cili ka paralajmëruar tensione e barrikada.
Sveçla ka thënë se shpreson që të mos ketë tensione në veri të vendit më 1 shtator, kur hyn në fuqi vendimi për reciprocitet, por shtoi se ka indicie që edhe mund të ndodhë.
“Ne shpresojmë që nuk do të ketë tensione, besojmë që nuk ka arsye. Por, po ashtu ka indicie që edhe mund të ndodhin. Ne jemi të përgatitur të ballafaqohemi me çfarëdo lloj situate, insitucionet tona janë të pjekura, të forta dhe të gatshme që t’i dalin në krye çfarëdo detyre të ligjshme që ata marrin. Por, kemi edhe mbështetjen e pakursyer të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai në “Klan News”, transmeton Reporteri.net.
I pyetur se indiciet i ka të dhëna nga terri apo nga ndërkombëtarët, Sveçla tha “të dyja bashkë”.
Ndërsa i pyetur se kush po i organizon ato, Sveçla tha se “drejtpërdrejtë Beogradi, Vuçiq, Vulin dhe strukturat paralele serbe”.
“Mund të vendosin barrikada, mund t’i sulmojnë institucionet e sigurisë, ashtu siç kanë bërë muajt e fundit”, tha Sveçla, dhe shtoi se “kemi të dhëna për përgatitje”.
Ai bëri të ditur se muajt e fundit për shkak të luftës së Qeverisë kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera në veri, 11 herë është sulmuar me armë policia e Kosovës.
Sveçla tha se institucionet e e Kosovës janë mjaftueshëm të forta të ballafaqohen me çfarëdo situate.
I pyetur se a ekziston mundësia që të shtyhet sërish vendimi për targat qoftë deri më 1 tetor, Sveçla ka mohuar kategorikisht këtë.
“Jo nuk ekziston ai opsion fare”, tha Sveçla.
Kujtojmë se një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, më 31 korrik, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.
Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë vendosi të shtyjë për 30 ditë zbatimin e dy vendimeve, atë për dokumentet e hyrje-daljeve dhe për targat.