Gjatë prezantimit të programit për eksportet Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kur PD të vijë në pushtet do të krijohet me urgjencë bordi i fiksimit të euros.
“Është e domosdoshme një ndërhyrje urgjente për shpëtimin e eksporteve dhe nxitjen e tyre. Së pari, qeveria do krijojë bordin e fiksimit të euros”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha premtoi ulje taksash dhe të çmimit të energjisë.
Në qoftë se themi një euro me 138 lekë dhe në treg shkëmbehet me 100 lekë, çdo euro do i kompensohet eksportuesit me 38 lekë. Në këtë mënyrë ne do zerojmë efektin toksik të narkoeurove në ekonominë shqiptare. Të paktën në eksportet”, theksoi Berisha.
“Qeveria do të ulë taksat në mënyrë drastike në të gjitha sipërmarrjet e eksportit. Do të heqë TVSH-në për energjinë. Do të lidhim direkt marrëveshje me sipërmarrjen energjetike për të blerë energji pa TVSH, për të blerë naftë pa TVSH, pa akcizë. Do t’u jepet mundësi që teprica kreditore, që nuk e marrin ndonjëherë, të përdoret lirisht për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin e sigurimeve shoqërore dhe çdo detyrim tjetër korrent fiskal”, tha më tej kreu i PD.
“Përveçse do i sjellë pa TVSH të gjitha investimet kapitale, energjia elektrike do jetë pa TVSH. Çmimi për energjinë elektrike për eksportet do jetë njëshifror, jo dyshifror”, u shpreh ai.
Berisha nënvizoi se, do të ketë ulje të madhe të kontributit të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit.“Po të kemi parasysh se ne tani shpallim rrogën minimale 500 euro, atëherë është e nevojshme disa lehtësi për punëdhënësin. Dhe kjo është një nga lehtësitë që bëhen për të. Do krijohet zyra e mbrojtjes së eksporteve, e cila ka për qëllim t’i mbrojë ato nga çdo lloj arbitrariteti burokratik dhe mafioz, presionet e ndryshme dhe do bëjë çdo gjë për konkurrencë të lirë dhe të ndershme”, tha Berisha. “Eksportet, të cilat janë motori ndër më kryesor i punësimit të shqiptarëve dhe i prodhimit në Shqipëri, janë në agoni të vërtetë. Janë në rënie pikiatë, çka do të thotë mijëra e mijëra shqiptarë humbasin vendet e punës dhe kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria”, u shpreh ndër të tjera Berisha.