DnV: Dalja në votime deri në orën 13:00 është 20.34%

E publikuar: 18/12/2016 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demokracia në Veprim ka njoftuar se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 13:00 është 10,691 votues apo shprehur në përqindje 20.34%.

Sipas DnV, problemet me listën e votueseve dhe votimi familjar mbesin parregullsitë më të raportuara.

“Deri më tani janë evidentuar 67 raste kur votuesit nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar”.

“Janë identifikuar 6 raste të fotografimit të votës. Konkretisht në vendvotimin 0301X/03R në Gllogoc, shkolla “Halil Bajraktari”, ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është evidentuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të ndërmerret në raste të tilla”.

“Po ashtu janë evidentuar 3 raste kur i njëjtë person ka asistuar më shumë se një herë për të votuar. Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim një nga anëtarët e KVV-së ka asistuar një qytetarë në votim”.

“Është raportuar se në katër vendvotime vëzhguesit nuk janë ulur mbrapa komisionerëve për të përcjellë procesin e votimit, gjë që vështirëson punën e tyre dhe është në kundërshtim me vendimin e KQZ-së. Këto raste janë në Koreticë të Epërme, shkolla Shaban Polluzha në vendvotimin 01R, në Gllogoc, shkolla Rasim Kiçina, vendvotimet 01R dhe 05D, si dhe në Gllanasellë në shkollën Xhevë Lladrovci, në vendvotimin 02D”, bën të ditur Demokracia në Veprim, transmeton Klan Kosova.