Dje iu dha lamtumira e fundit Idriz Sylës, vëllait të zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskomandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Shemsi Syla.
Ceremonia mortore u zhvillua në vendlindjen e tij në fshatin Bresalc të Gjilanit, shkruan Infosot.
Në varrimin e të ndjerit morën pjesë familjarë, miq, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë, ushtarë të Forcave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të shprehur ngushëllimet e tyre familjes Syla.
Idriz ishte baba i tre veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familja Syla, përmes një postimi falënderues, u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e treguar.
“Faleminderit të gjithë miqve dhe dashamirëve që na u bashkuan sot në përcjelljen e fundit të më të dashurit tonë. Prania juaj e nderoi dhe bëri këtë përcjellje madhështore, ashtu siç ai e meritoi.”
Idriz Syla do të kujtohet nga familja dhe të afërmit si një njeri i urtë, i respektuar dhe i përkushtuar ndaj vlerave njerëzore e familjare.


















