Peci gervalla
Në ditën kur u raportuar për dorëheqjen e Doarsa Kica Xhelilit nga Lista Guxo, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është zgjedhur kryetare e degës në Pejë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka uruar Gërvallën për postin e ri si kryetare e degës së “GUXO”-së në Pejë.
Në fotografitë e postuara nga ministri Faton Peci, ku e uroi Gërvallën për postin e ri, nuk shihet askund deputetja Doarsa Kica Xhelili.
Peci shkruan se Gërvalla ka qenë për 30-të vite aktiviste për lirinë e Kosovës dhe liritë universale, teksa thotë se do të jetë mbetur simbol i guximit dhe luftëtare e zëshme për ndryshim.
Postimi i plotë:
Urime Kryetare Gërvalla!
Sot, Zëvendës-Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla u zgjodh kryetare e degës së “GUXO”-së në Pejë.
Donika është një nga ato zërat që për 30-të vite, ka qenë aktiviste për lirinë e Kosovës dhe liritë universale.
Medoemos që nuk do kishte si të ishte ndryshe Donika, duke qenë se ajo rrjedh nga një familje atdhetare e patriotike, një familje e cila ka shërbyer si udhërrëfyese për gjeneratat pasuese.
Ajo ka ndjekur hapat e Jusuf Gërvallës, gjithmonë duke patur synim afirmimin e Kosovës në botë dhe pasqyrimin e realitetit, të dhunës e shtypjes me të cilën janë përballur shqiptarët me vite nga pushtuesi serb.
Në familjen Gërvalla, përmes rokut e poezisë zë vend zanafilla e rezistencës dhe frymës së ndryshimit, atëherë kur pak kush ka patur guximin të jetë roker e poet.
Donika ishte pjesë e protestave studentore në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990, ku pastaj përmes grevës së urisë në shkurt të 1991, bashkë me studentë të tjerë, çuan në rrëzimin e regjimit diktatorial në Shqipëri.
Sa ishte pjesë e LDK-së përfaqsoi qëndrimet e Kosovës para opinionit gjerman si në media ashtu edhe në Qeverinë Gjermane e Bundestag.
Së bashku me bashkëshortin Stefanin, nuk e kanë ndalur aktivitetin e tyre patriotik në shërbim të Kosovës edhe pse kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme për jetë.
Donika sot, është pjesë e partisë “Guxo” duke mbetur simbol i guximit dhe luftëtare e zëshme për ndryshim. Vetë prezenca e saj në Kosovë për t’i kontribuar vendit, larg familjes së saj përbën sakrificë.
Edhe njëherë, Gëzuar Donikë!
Na priftë e mbara.