Ndoshta se ishte pikërisht baleti që i njohu, ndoshta sepse kur janë bashkë janë partnerë absolutë dhe sjellin punë të arrira dhe emocionuese. Po flasim për Enada Hoxhën dhe Gerd Vason, çiftin simpatik në Teatrin e Operas dhe Baletit. Me Enadën kemi zhvilluar një bisedë të këndshme duke u ndalur në aktivitetet e fundit profesionale siç ishte shfaqja “Peshkatarët e Perlave” apo edhe në projektet e tjera qofshin këto në axhen e TOB por edhe të tyret personale.
“Çdo shfaqje ka të bukurën e vetë, punën përkushtimin. Mund të them se unë me Ilvën sapo kishim filluar të njiheshim dhe më pas kjo ky bashkëpunim hera herës ka funksionuar, apo kemi qenë të pritur prej saj për aktivitete të ndryshme profesionale por edhe private.
Më pas vjen ky propozim duke qenë se Inva është edhe pjesë e bordit në teatër. Më erdhi mirë kur teksa unë prezantoja në bord shfaqjen “Liqeni i Mjellmave” ajo gjeti një moment, dhe më tha “kam menduar që koreografinë e “Pëshkatarët e Perlave” të ta besoj ty me Gerdin. Pa diskutim i prita me kënaqësi, pasi do të thotë që beson në punën tonë”, tha Hoxha. Ndërkohë ajo përmend edhe disa nga projektet e TOB dhe të sajat në bashkëpunim me partnetrin Gerdin. “Kalendari do jetë goxha i ngjeshur do të ketë aktivitete pa fund, pasi kemi nisur këtë sezon turnet me shfaqje në qytete të ndryshme, kthehemi në 60 vjetorin e ansamblit ku trupa e baletit do të jetë shumë e angazhuar, e më pas kemi si premier absolute premierën e të koreagrafit dhe balerinit Eno Peçi.
Unë dhe Gerdi po punojmë shumë për të sjellë diçka tonën shumë shpejt, jo vetëm në koreografi. Do doja të vinim me diçka tonën që të dy të jemi protagonist por edhe në skenë, pasi të them që më mungon shumë ky fakt. Një tjetër objektiv apo ëndërr e përbashkët me Gerdin është që të kemi një kompani tonën kërcimi, kjo është gjëja më e madhe ose përkufizimi i gjithë karrierës sime”, tha ajo.
Jo vetëm kaq Enada në këtë intervistë të Gazetës Shekulli ka ardhur në dy dimensione të ndryshme kohore në atë të fëmijërisë dhe jetës së saj në ditët e sotme.
Enada ju është dashur të studioni veprën “Peshkatarët e Perlave”, çfarë morët prej saj përveç anës profesionale?
Sigurisht ti merr një kulturë tjetër të re, edhe pse nuk e ke shkelur atë vend. Është një pasuri më vete, e cila më vlen qoftë në komunimim me njerëz që mund ta njohin shumë më vonë këtë vepër, ti tregon dhe ata kuptojnë çfarë di apo përcjell nga studimi i saj. Këtë kulturë që përftoi e përçoj ke fëmija im, familja ime dhe më pas me persona të tjerë më të cilët flas dhe kam kontakt. Mendoj që më kompleton dhe gëzoj me veten time sepse unë në fund të ditës bëj një rezyme ku them çfarë kam bërë, si është, e si duhet ta bëj më mirë.
Enada i e kujtoni fëmijërinë?
Enada angazhimin me baletin e ka nisur në moshën 6 vjeçe në shtëpinë e pionerëve dhe deri para kësaj moshe nuk më kujtohet asgjë. Pas në kohë më kthen shumë shpesh familja ime të cilët edhe ata rrojnë po me pasionin tim. Edhe ata e kanë mendjen, kur do dali Enada në skenë, sa keq që nuk del kaq shpesh në skenë, janë prindër dhe këtë mund ta kuptojnë vetëm prindërit. Unë tashmë jam prind vetë dhe e kuptoj ç’ është shqetësimi për fëmijën. Kështu që rinisin e më kujtojnë hera-herës im atë, dhe kur më shikon që unë e vuaj mosdaljen në skenë, (nuk dua të duket diçka e shëmtuar por e vuaj), gjithmonë më ngushëllon duke më thënë “bija ime ke arritur kaq shumë në jetë, ke kaq shumë vite karrierë, njerëzit të duan, flasin vetëm mirë dhe ti duhet ta vlerësosh këtë gjë, paçka se si mund të vij jeta, do vazhdosh apo jo në balet duhet ta ndjesh veten të vlerësuar nga gjithçka ke bërë dhe madje të ndjehesh me kokën lart me këtë që ke arrit. Ata më flasin në këtë formë dhe mundohen të më suportojnë , unë e kuptoj këtë gjë, përveçse në fund fare unë i them veten “nuk kam bërë asgjë”.
Këtë nuk e them për modesti por unë kështu e ndjej , pas çdo gjëje që bëj në fund fare them “skam bërë asgjë, kam akoma për të bërë”. Ato më kujtojnë që kam qenë një fëmijë i mbarë , kam kërkuar të jem e para në shkollë, gjithmonë kam kërkuar të jem e para në atë çka merrja përsipër të bëja. Kjo ka qenë dhe unë vazhdoj të jem, dhe vazhdoj ta kultivoj tek djali im, që ndoshta ndonjëherë duket më shumë se ç’ duhet kur i them që duhet të jesh i pari kudo. Kjo ka qenë fryma me të cilën unë jam rritur, duhet të bëhesh dikushi në jetë. Kjo është ajo që unë kujtoj nga gjithë vegjëlia ime, kam mbajtur gjithmonë ditar, hera herës e shkëputur, por kur e shikoj kam ditar pa fund, edhe deri vonë para pak muajsh kur i thashë vetes “stop, bëjmë një stopim” për të filluar sërish në një moment tjetër. Teksa e kam hapur një, ndalova në një frazë ku kisha thënë “unë dua të bëhem balerina më e madhe”, do thonë njerëzit që mund ta lexojnë “uaa kjo vajzë paska qenë me këto mendime që atëherë” (qesh).
Mund t’i përkasë viteve 90 mos gaboj, kur unë kam mbaruar shkollën. Pra që atëherë kisha këtë dëshirë dhe kërkesë tek vetja, e mbaja mend që isha kërkuese por që të kisha bërë deklarata të tilla nuk e mbaja mend (qesh). Një njeri i tillë nuk mund të quhet egoist pasi je kërkues me veten tënde, unë nuk kam thënë asnjëherë që dua të jem më e mirë se tjetri, unë kam thënë më e mirë në raport me veten, të jem unë ajo që duhet të jap një shembull. Zoti më ka bekuar me shumë mundësira të jashtëzakonshme, të mira sa i takon baletit, të mira sa i takon egos sime me punën time, me një partner të shkëlqyer në punë dhe jetë. Jam e bekuar..
Loja juaj e preferuar ka qenë vetëm baleti në fëmijëri apo…
Unë këtë pjesë e kam shijuar shumë por deri në klasën e katër, pasi në klasën e pestë ti fillon shkollën e baletit dhe ka orare të ngjeshura dhe një regjim që duhet ta ndjekësh. Dhe mua regjimi më është kultivuar që në vogëli e më pas kur kam qenë në shkollë. Edhe sot e kësaj dite unë e ndjek një regjim, siç jam fanatike në profesion ashtu jam edhe në regjimin që unë mbaj për të qenë kjo që jam. Por sa i takon kohës para klasës së pestë, unë kam qenë një fëmijë i lumtur sa i takon familjes pasi jam rritur në një familje të jashtëzakonshme sa i përket dashurisë së raportit prindër-fëmijë. Deri në klasën e katërt kam luajtur dhe kam një nostalgji të madhe për lojërat me peta, litar, kanoçe, topa, pinca, gjatë verës luanim tek sheshi… të gjitha lojërat i mbaj mend (qesh). Kam të qëndisura, kam provuar edhe të bëj pjesë trikoje, kam provuar edhe me grep, mblidheshim dhe luanim tek shkallët e pallatit, sa shumë bërtitej në ato shkallë, këndoheshe, ftonim njëri-tjetrin nëpër shtëpia.
Shumë pak lojëra shiteshin atëherë nëpër dyqane por ato që shiteshin ishin interesante lumë ato që e kishin fatin që ti kishin. Pastaj shkonim në shtëpitë e njeri tjetrit ndonjëherë për të fjetur, për të parë një film. Unë kisha dhe në shtëpinë time mblidheshim edhe tek unë, kishte psh në atë kohë të gjithë jetonin në një formë por jo të gjithë paguheshin njësoj, prindërit e mi kishin një punë më të mirë dhe kishin në rrogë më të mirë, ndonjëherë kërkonin tek ne dhe ndonjë rrobë. Këto bëheshin çdo ditë, ajo e thirrura në lagje “do zbresësh, erdhi ora”, buka e lyer me gjalpë dhe reçel, zbrisnin të tërë e hanim, i kërkonim ndonjë kafshatë njeri tjetrit për të provuar. Pushimet e verës ishin të bukura pasi na varnin çelësin në qafë, do prisnim që gjithsecili kur të merrnin pushimet prindërit ose në fund të gushtit ose në korrik , derisa largoheshim na varej çelësi në qafë.
Mbaj mend që familjarisht e hanim gjithmonë bashkë drekën, kjo është për t’u vlerësuar dhe kujtuar, dreka e përbashkët, tashmë unë e kam prishur këtë regjim për arsye të punës. Pasdite mund të dilnim çdo pasdite shëtitje. E kam shijuar pa fund dhe do doja shumë që ta kishte edhe djali im këtë fëmijëri. I flas shumë për këto lojëra, madje përpiqem t’i bëj luaj ndonjë të tillë, pasi në ditët e sotme teknologjia po na mbyt, por që unë jam për këtë gjë. Jam njeriu që di më pak sa i përket telefonave, rrjeteve sociale, kam një informacion bazik, elementar. Mua më pëlqen të shkruaj, dhe fakti që unë them shkruaj ditar më pëlqen e shkruara. Nëse do kisha mundësi edhe letrat do t’i çoja me korrespondencë, i përkas një shekulli tjetër, nuk i përkas këtij shekulli dhe nuk jam farë pro këtij sepse po humbasim shumë gjëra.
Cila është epoka juaj?
Periudha që do më përshtatej mua është padikustim shekulli 18. I përkas shumë atij shekulli dhe sigurisht jam shumë për vitet ’20, ’30, ‘50, unë i shijoj dhe jo pa qëllim “Liqenin e Mjellve” ,e çova në ato vite, për kulturën e jashtëzakonshme, për mënyrën se si është shijuar jeta në atë kohë, duke filluar që nga arredimet e shtëpisë, nga stilet e veshjeve, letërsinë. Pra ka qenë një zhvillim i jashtëzakonshëm. Kështu që, unë i referohem gjithmonë atyre viteve, edhe ne jetën time, me veten time kur dua të ndryshoj stil në veshje apo pëlqimit të filmave. Gjithmonë shkoj në atë kohë, mendja shkon atje.
Ëndrra e Enadës në atë kohë?
Nuk mbaj mend të kem pasur ndonjë ëndërr përpara se të futesha në shkollën e baletit. Di që në momentin që im e më vendosi që unë të bëhesha balerinë, kam menduar vetëm për këtë profesion. Aq shumë mendoja sa edhe doja që edhe bashkëshorti im të ishte balerin (qesh). E kisha ëndërr këtë gjë.
Momenti i parë kur ke provuar skenën?
Nuk është një moment që e kam kërkuar, por më është dhënë, synimi im ishte të bëhesha shumë e mirë dhe patjetër të provoja skenën. Dashuria që të lind për punën dhe pasioni i madh të bën që ti shikosh gjërat me detaje, në momentin që vinte x koreagraf në pallatin e pionerit, dhe thoshte do vendoset kjo shfaqje për dekadat e majit (imagjino unë kam arritur dekadat e majit) unë isha e fokusuar tek puna dhe gjithmonë thosha unë po punoj dhe e zgjedhura e tij duhet të jem unë.
Sigurisht që herë kam qenë dhe herë nuk kam qenë sepse koreografët janë të ndryshëm, kanë pretendime te ndryshme, të mos harrojmë se edhe në atë kohë por edhe tani ka pasur ndërhyrje padiskutim. Unë isha mësuar që ai që punonte duhet ta meritonte diçka dhe këtë gjë unë e ndjek edhe sot e kësaj dite, këtë parim kam, ai që punon ai e meriton, duke marrë të gjitha komponentët bashkë.
Fati e ka dashur që njerëzit me të cilët kam punuar e kanë vlerësuar punën dhe kështu erdhi gradualisht, qoftë kur u vlerësova jashtë ku isha e vetme e nuk kisha asnjeri, më pas erdha këtu dhe padiskutim pata vlerësimin e jashtëzakonshëm nga maestro Agron Aliaj, i cili ishte ai që mua dhe Gerdin na dha dorën, kjo ndodhi pasi diçka tek ne.
Cili ishte kërcimi që të bashkoi me Gerdin?
Është bukur kur vjen dikush dhe të kërkon, sidomos për një femër. Kanë qenë momente shoqërore shumë të bukura, momente pune shumë të këndshme sepse në fakt kështu nisi, ai kërkoi të kërcente me mua. Provat ishin ato që na njohën me njeri-tjetrin sepse nuk bëhesh dot partner kollaj ku ti akoma nuk njihesh, pasi janë disa teknika të jashtëzakonshme që duhet të qëndrojnë mirë tek të dy. Por mund të them se Gerdi jo vetëm se është partner i imi në kërcim dhe në jetë, është një partner absolut, pasi janë të rrallë të themi meshkujt partner. Më kujtohet që gjatë kohës kur ne bënin prova shumë e kërkonin shumë partnere të tjera, dhe në momentin që ndodhi edhe pëlqimi midis njëri tjetrit , jam shumë posesive në atë çka është e imja, e kam pasur e kam dhe do ta kem. Kur dikush është i imi nuk dua të ma prekë askush edhe hera-herës u komentua keq kjo gjë, ndoshta vazhdon të komentohet keq pasi mendojnë se unë mendoj vetëm për vete dhe nuk e lë atë të kërcejë me partnere të tjera.
Vërtet unë e them që Gerdi është i imi, kemi punuar për një kohë shumë të gjatë bashkë dhe u bëmë njësh me njëri-tjetrin, por mendoj që ka qenë edhe një zgjedhje e Gerdit të qenurit dhe të punuarit vetëm me mua . Pastaj u bëmë një çift që u bëmë mjaft i pëlqyer për publikun, edhe koreografët e tjerë të huaj vazhdojnë ta thonë që atë filling që keni ju të dy kur dilni të kërceni nuk e keni kur kërceni vetëm, pasi të dy kemi kërcyer me partner të tjerë, por asnjëherë nuk ka qenë ai bum që ne bëjmë të dy bashkë. Kërcimi që neve na njohu, ishte Romeo dhe Zhulieta, nuk kërcenim në rolet kryesore, në vitin 1996. Mendoj që edhe kur të mbyll karrierën ta mbyll me këtë kërcim që më njohu me Gerdin, por nuk është e thënë. Pastaj ndoqëm baletët e tjerë me radhë.
Më herët u shprehet se e dëshironit partnerin e jetës balerinë, çfarë i thatë vetës kur kjo u realizua?
Nuk i kam thënë asgjë vetes në atë kohë, sepse gjërat erdhën natyrshëm dhe ti nuk i mendon ca gjëra . Tani po unë mund të jap një mendim që paskam qenë me fat, paskam bërë zgjedhjen e duhur dhe Zoti më paska kuptuar kaq mirë në ato kërkesat e mia, sigurisht kërkesa që unë i kërkoja në bazë të asaj që doja të isha. S’mund të kërkosh dhe rri e pret. Mendoj që më ka bekuar. Puna e përbashkët që kemi na ka bërë kjo që jemi sot. Njerëzit kur respektojnë njeri tjetrin ndodh një uau që nuk është e rastësishme, as e menduar nuk është por fryt i shumë gjërave që bashkohen. Uau, e cila u bie në sy edhe të tjerëve e vijnë të ta shprehin. Faleminderit Zotit!
Si ndikon fakti që jeni shumë kohë bashkë?
Të qenurit të dy në këtë profesion mua më ka dhënë një siguri të jashtëzakonshme, nuk e di se si mund të ishte nëse do kisha një tjetër partner jashtë këtij profesioni, sjellja ime do ishte e njëjta. Por mendoj që do kisha marrë një partner që do më mirëkuptonte. Të tjerë që janë në të njëjtin profesion siç jemi ne e thonë që nuk është shumë e mirë që jemi 24 orë bashkë, unë them që është një mrekulli për të qenë bashkë. Ndoshta ngaqë unë jam natyrë shumë familjare nuk jam natyrë që si të thuash e dua partnerin për ta kontrolluar, jo ndoshta njerëzit mund ta kenë kuptuar raportin tim në këtë formë. Jo kush më njeh mirë jo. Mua më ka pëlqyer raporti siç e kam, gjithmonë kam dashur një raport serioz, me një respekt reciprok dhe korrekt, ndryshe nuk funksionon gjëja. Unë e kam ndërtuar familjen në baza dhe në moral, fakti që ka moral për mua është një familje e shëndoshë dhe e begatë.
Beson shumë në Zot! A lutesh?
Lutem shumë herë në ditë, përveç mëngjesit që unë them “Faleminderit Zot që jam edhe sot”, lutem në darkë. Kam një lutjen time në mënyrën time. Kur një mikesha ime më thotë që ka një libër që të tregon se si duhet të lutesh, aty lexova që ishin ato që thoja unë. Nuk mu desh më që të rrija dhe ta lexoja sepse e para që i përngjasoka shumë dhe e dyta Zotit duhet ti lutemi gjithmonë në mënyrën tonë pa shumë direktiva të përcaktuara. Gerdi nuk beson dhe nuk më ndërhyn asnjëherë në këtë pjesë dhe për këtë më vjen mirë, pasi më ka respektuar gjithmonë në gjërat që nuk ka rënë dakord me mua. Djalin e kam mësuar të lutet dhe i kam thënë ç’ është Zoti dhe ai lutet në mënyrën e tij.
Udhëtimi që ju ka lënë më shumë mbresa?
Përveçse lutem dhe marrë atë qetësinë time ajo që më ka bërë akoma më të qetë të kuptoj shumë qetë është vajtja Mexhugoria, është një vend i shenjtë, ku bëhet edhe peligrinazh, njerëzit shkojnë dhe luten. Unë kam shkuar katër herë dhe herën e katërt kam marrë edhe tim bir me vete, ka qenë gjë emocionuese ta shikoja atë teksa bënte peligrinazhin dhe ngjiste malin vetë pa asnjë lloj ndihme dhe lutej. Teksa e shikoja që lutej, sepse e kuptonte gjënë, qëndronte siç duhet të qëndronte, si një besimtar i vërtetë më është mbushur zemra dhe jam shumë e lumtur që e mora me vete pasi është një udhëtim i cili bën të ndodhin gjëra të jashtëzakonshme dhe unë jam një nga ato që më kanë ndodhur gjëra të jashtëzakonshme. Siç jam e lumtur që njeriu i parë që më ka marrë për të studiuar jashtë ka qenë një prift, i cili nuk ndikoi dhe nuk më mësoi si duhet të lutesha por duke qenë prift më la të jetoja dhe studioja pikërisht te murgeshat. Asnjëri nuk më detyroi të lutesha, por unë atje mësova shumë gjëra. Nuk mund të japësh një përkufizim për Zotin, por për mua ai është gjithçka, fakti që unë sot jetoj, fakti që unë jam kjo që jam, jam falë tij. Në të njëjtën kohë jam falë nënës dhe babait, pa diskutim por kam arritur që të bëj gjithë këto gjëra me dëshirën e Zotit. Unë mendoj që çfarë do lloj gjëje që neve na ndodh e kemi të shkruar dhe sot më shumë se kurrë e kuptoj këtë frazën “është e shkruar” . Unë mund të doja shumë që mund të bëhesha një balerinë e madhe, por mendoj që pa e shkruar i madhi Zot që unë do të isha nuk do të isha kjo që jam sot. Ky udhëtim hyn tek udhëtimet e veçanta, hyn tek udhëtimet shpirtërore, nuk hyn tek udhëtimet e zakonshme.
Si mbyllet dita për ju?
Varet shumë nga puna, sigurisht që është puna ka ngarkesë, pasi kam një përgjegjësi më të madhe se kur isha vetëm balerinë pasi duhet të punoj me 40 balerinë, të cilët duhet të udhëhiqen në çdo gjë bëjnë, duhet t’i shoqëroj ata kur bëjnë udhëtime. Është një punë e ngjeshur por e bërë shpirtërisht nga unë. Kur kthehem në shtëpi duhet të merrem më djalin pasi nuk mundem ta anashkaloj, kur shtrihem unë mendoj sërish çfarë do bëj nesër, si duhet të punoj, të jap dhe flas me balerinët nesër. Gjithë fokusi im është aty, shumë më pak tek vetja ime edhe pse mundohem të kujdesem për të. Edhe fundjavat, pjesa më e madhe janë shfaqje, janë shumë të rralla fundjavat kur jemi të lirë. Kur jam e lirë preferoj të qëndroj në shtëpi edhe Gerdi gjithashtu preferon të ndjekë futboll pasi e ka pasion. Ndonjëherë mund të ndodhë rastësisht ose të organizohemi për një darkë apo një drekë.
Pra, djali nuk është rastësisht në futboll…
Futbolli është pasioni i Gerdit, djali jo vetëm si pasojë e të atit, por mesa duket është një talent i lindur. Kështu thonë profesorët e tij, për fat të keq këtë vit nuk po e ndjek dot pasi shkolla i mbaron vonë. Të gjithë jemi me orare të çrregullta dhe takohemi rastësisht në shtëpi ose mezi presim të takohemi. Po kjo është puna.. vetëm nëse do realizohet dëshira të kemi të diçka tonën do të jemi disi ndryshe. Aktualisht djali e ka zëvendësuar stërvitjen me profesorin me fushën e improvizuar në shtëpi pasi mund të luajë futboll tenis, ping pong tej. Në fakt aty luajmë të gjithë , e ndonjëherë duket si një ministadium (qesh).

















