​Dita kur pazari u kthye në tragjedi, dëshmitë që rikthejnë tmerrin e 13 marsit në Mitrovicë

E publikuar: 13/03/2026 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Te vendi ku dikur ishte përplot zhurmë tregu dhe njerëz që bënin pazarin e ditës, sot mbizotëron heshtja dhe kujtesa. Çdo 13 mars rikthehen rrëfimet për një nga ditët më të rënda të luftës, kur tregu i qytetit u kthye në skenë tragjedie.

Në atë ditë të vitit 1999, forcat serbe goditën me granat tregun e mbushur me qytetarë. Brenda pak çastesh, vendi ku njerëzit shisnin e blinin ushqime u mbulua nga shpërthimet, britmat dhe paniku. Si pasojë e sulmit u vranë gjashtë qytetarë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, ndërsa 128 të tjerë mbetën të plagosur.

Edhe pas më shumë se dy dekadash, të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave kthehen çdo vit në vendin e ngjarjes për të kujtuar atë që ndodhi dhe për të nderuar jetët e humbura.

Në 27-vjetorin e sulmit me granatë në tregun e Mitrovicës, një nga të mbijetuarit, Xhafer Haziri, rikujton momentet e tmerrit që i ndryshuan jetën përgjithmonë.

“Atë ditë ka qenë ditë të e mjerueshme. Kemi qenë duke punuar këtu, në ora 14:15 ka rënë granata. Ka rënë granata afër meje, aty nuk e kam pasur as 3 metra larg. E kam humbur këmbën, vëllai i ka humbur dy këmbët dhe baba është i plagosur. Tre veta të familjes jemi të plagosur në tregun e Mitrovicës. Po normalisht që për çdo vit hapet kjo, nuk harrohet. Me të mirë rini, 24 vjeçar kam qenë kur jam plagosur. Kam humbur gjymtyrët e trupit, ashtu edhe vëllai i ka humbur dy gjymtyrët e trupit, por çka me bo, jeta vazhdon”- tregoi Haziri.

Ai rikujton momentin kur granata shpërtheu pranë vendit ku po punonte me familjen.

“Pas hedhjes së granatës, me ardh njeriu i shëndoshë e me dalë invalid nuk është lehtë, por ja që ka ndodhur. Kemi qenë tre anëtarë të dëmtuar, sepse ne kemi punuar tre anëtarë. Ka qenë këtu ku kemi punuar tezgja, ka qenë malli jem edhe kemi pasur spinaq shumë dhe me siguri ka qenë granatë. E kemi pasur shumë afër, as 5 metra larg. Veç kur e kemi dëgju njëfarë zhurme kur ra, tani më në ato momente po të hupke vetëdija. Pastaj për një kohë nuk kam ditur çka e qysh”- tha ai.

Edhe Tafil Strana rrëfeu se atë ditë gjashtë anëtarë të familjes së tij u plagosën nga shpërthimi, ndërsa një familjare humbi jetën në vend.

“Gjashtë anëtarë të familjes i kam pasur të plagosur. Çikën e axhës e kam pasur të vdekur në vend, babën e plagosur, nënën e plagosur, vëllain e plagosur dhe dy çikat e tjera të axhës të plagosura. Njëra është pa katër gishtat e dorës dhe këmbët i ka të shkurtuara, Sadije Strana Muslia. Babën e kam pasur të plagosur këtu, ndërsa në muajin e katërt, më datë gjashtë, babën ma kanë masakruar në spital të Mitrovicës. Ma ka masakruar Marko Jakshiq. Vëllain e kam të plagosur dhe i ka 48 copa të granatës në këmbë prej plagosjes këtu. Po këtu po e shohim që nuk ka perspektivë prej tyre. Ahmet Strana, Sabrije Strana, Safet Strana, Firkije Strana, Valdete Strana, Sadije Musliu Strana, krejt i keni që janë”- pohoi Strana.

Ai kujton tmerrin që pa në spitalin e veriut të Mitrovicës.

“Kam qenë në shtëpi kur është hudhur granata. Ditë e shtunë ka qenë ajo ditë kur kanë dalë. Prit, prit, u bë ora gjashtë dhe nuk erdhi asnjëri. Kur morëm informata se janë të plagosur, atëherë OSBE-ja ka qenë në Shipol. Përmes OSBE-së kemi ardhur dhe kemi shkuar në drejtimin e spitalit verior. Aty te spitali i Veriut kam qëndruar deri në orën 12 të natës. Aty tmerrimin më të madh që e kam parë në jetën time: ua prejshin këmbën, dorën. Marko Jakshiqi ua prenë këmbën shqiptarëve e fëmijëve. Maltretimet më të mëdha që kanë qenë”- ka thënë Strana

Ndërkohë, Azem Beqiri kujton plagën që mori në dorë nga shpërthimi, teksa po punonte me familjen dhe shokët.

“Datën e 13 marsit e kujtoj sikur sot. Isha duke punuar në tregun e Mitrovicës këtu. Isha me vëllain e vogël, djalin e axhës e me shokë, kur atë ditë na ndodhi fatkeqësia e hedhjes së bombës që na plagosi 100 e diçka veta. Unë e kam plagën këtu në dorë, plagën më të madhe. Brylin nuk e kam hiq, e kam dorën e këputur, por falë Zotit prapë funksionin e kam në të. Falë Zotit dhe mjekësisë tonë, unë sot e kam dorën. Unë për vete, kur jam plagosur, e kam hetuar veten sikur me një thikë kur prehesh, por duke vrapuar se mos po kërcet ndonjë tjetër. Atëherë e kam parë veten që e kam dorën e këputur dhe i kam dhënë ndihmë vetes. E kam marrë, e kam prish maicën dhe e kam lidhur dorën këtu, sepse duke vrapuar e kam parë dorën që më ka rrokë në fytyrë. Atëherë e kam parë veten që jam i plaguar. Kam vrapuar, kam hipur në taksi dhe kam shkuar në spital në Veri. Spitali në veri nuk na ka dhënë aty trajtim të mjaftueshëm, sepse ka pasur shumë të plagosur, u kanë pa pa kontroll. Unë kam qenë në vetëdijen time të plotë, por pas një kohe, aq shumë që kam pasur gjakderdhje të madhe, atëherë e kam parë veten të nesërmen në Prishtinë”- ka treguar Beqiri

Masakra në tregun e Mitrovicës mbetet një plagë e thellë në historinë e qytetit dhe të Kosovës. Rrëfimet e të mbijetuarve, dëshmojnë tmerrin, dhimbjen dhe humbjet që solli sulmi, por edhe rezistencën e qytetarëve për të përballuar pasojat.

Edhe pas 27 vitesh, plagët e asaj dite nuk janë harruar, ndërsa kujtimi i viktimave vazhdon të ruhet çdo vit nga familjarët dhe qytetarët. Përkujtimi i tyre është një mesazh i fuqishëm për drejtësi, paqe dhe nderim të jetëve të humbura.