Qeveria i ka marrë në fund të qershorit. Shtetasve të Serbisë nuk do t’u njihen dokumentet e identifikimit dhe kur të hyjnë në kufi do të pajisen me leje të përkohshme qarkullimi. Po nga kjo ditë, do të fillojë të rrjedhë afati prej dy muajsh për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS.
Në prag të zbatimit të vendimeve, zyrtarë serbë kanë ashpërsuar diskursin ndaj Kosovës, ndërsa nga droja për tensione, kryeministri Kurti ka thirrur për të dielën një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Vetëm edhe të dielën, shtetasit e Serbisë do të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente identifikimi të këtij vendi. Nga java e ardhshme, ato nuk do të njihen dhe do t’u duhet të pajisen me një dokument për hyrje-dalje, i ngjashëm me atë që shtetasit e Kosovës pajisen me të hyrë në Serbi.
Vendimin për pajisjen e qytetarëve të Serbisë me një dokument të tillë, Qeveria e Kosovës, e ka miratuar në fund të muajit qershor.
“Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhej në njoftimin e ekzekutivit, e ku mes tjerash bëhej e ditur se vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 gushti.
Nën kushte anonimiteti, disa prej serbëve që të shtunën kaluan pikën kufitare me Serbinë, në Jarinjë, nuk u shprehën të kënaqur me vendimin.
Por, kishte edhe të atillë që e mirëpritën atë, ndonëse u ankuan se nuk janë mirë të informuar për reciprocitetin e vendosur.
“Nëse ata mendojnë se do të lehtësohet, atëherë sigurisht. Vërtet nuk e di. Do të thotë unë kaloj këndej një herë në vit, kështu që nuk e di”, thotë Ivan Soçanaq, nga Rashka e Serbisë.Edhe një qytetar tjetër flet për procedurën e re të kalimit.
“Le të zgjidhet dhe të mos e kemi këtë problem. Nuk më intereson çka është e si është vetëm le të zgjidhet. Nuk më pengon mua”, tha një tjetër banor.
Në prag të hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, përmes të cilit do të vendoset reciprocitet në përdorimin e dokumenteve identifikuese, të shumta kanë qenë reagimet në Serbi.
Ministri i Jashtëm, Nikola Selakoviq, ka thënë se shqiptarët po “përgatisin ferr” në Kosovë.
Duke folur për vendimet e Qeverisë së Kosovës që do hyjnë në fuqi nga fillim gushti, Selakoviq, ai paralajmëroi një takim të presidentit të Serbisë me përfaqësuesit serbë të Kosovës.
Selakoviqi ka thënë se nga diskutimet e bëra në parti, është konstatuar “shqetësimi serioz për faktin se pala shqiptare e Kosovës, tekstualisht është duke përgatitur ferrin në ditët në vijim”.
Kurse, shefi i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimet për letërnjoftim e targa janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Kurti nuk është i interesuar për marrëveshjen, as për dokumentet hyrëse-dalëse. Ai është i interesuar për heqjen e letërnjoftimeve serbe të serbëve që banojnë në Kosovë, sepse dëshiron të ndrydhë ekzistencën e shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën.
Përveç vendimit për reciprocitet në dokumentet identifikuese, të hënën më 1 gusht në fuqi do të hyjë edhe vendimi i Qeverisë për afat dymujor, gjatë të cilit qytetarët serbë duhet t’i ndërrojnë targat ilegale të veturave në ato RKS.
“Është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022”, thuhet tutje në vendim.
Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një arsye pse duhet të nisë zbatimi i të dyja vendimeve, si atij për reciprocitet në dokumente të identifikimit, ashtu edhe i vendimit për targat.
“Ne nuk do t’i kishim preferuar asnjëherë dokumentet e tilla, por nëse ka një dokument kur qytetari i vendit tonë e merr në vendkalim kufitar kur shkon në Serbi duhet të ketë një të tillë edhe kur qytetar i cili është pajisur me dokumentet të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, hyn në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës i druhen cenimit të sigurisë, me të nisur zbatimi i vendimeve. Prandaj, për të dielën është caktuar takimi i Këshillit të Sigurisë.
“E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme të cilëve nuk u pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe të cilët dëshirojnë që ta sfidojnë shtetin e Kosovës, andaj kjo mbledhje është për të diskutuar se a janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar pra ashtu siç është planifikuar, gjithnjë sipas shtetit të së drejtës që është edhe sundim i ligjit edhe kushtetutshmëria”, ka deklaruar shefi i Qeverisë.
E institucionet kanë bërë përgatitjet për nisjen e zbatimit të vendimeve.
Dy ditë para fillimit të rrjedhjes së afatit, Ministria e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur se është duke vazhduar me fushatën informuese për qytetarët që të pajisen me targat RKS.
“Ministria e Punëve të Brendshme është e angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht për informimin e qytetarëve, asistimin në ndjekjen e hapave të nevojshme dhe mbarëvajtjen e procesit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, derisa shtohet se po ashtu janë kryer përgatitjet e nevojshme nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve “për të mirëpritur të gjithë pronarët e automjeteve”.
Vendimi i 29 qershorit për caktimin e afatit për ndërrimin e targave, është marrë dy muaj pasi një proces dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u përmbyll pa ndonjë marrëveshje afatgjate për targat.
Kjo marrëveshje, e cila shtensionoi situatën e krijuar në veri vitin e kaluar, nuk u arrit përkundër diskutimeve mes grupeve punuese për gjashtë muaj me radhë. Pas përfundimit të marrëveshjes në shtator të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës vendosen reciprocitet sa u përket targave të Serbisë, gjë që nxitit reagimin e serbëve, e të cilët për më shumë se 10 ditë, bllokuan rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak