Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për arsimin e të enjten për dhunën në familje, por nuk ka datë të caktuar për demarkacionin, raporton KTV .
E premtja është përmendur si dita kur deputetët mund të mblidhen për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, por për këtë gjasat janë minimale, meqë shumë deputetë do të kenë udhëtime zyrtare qysh nga e enjtja.
Pushteti e pranon se ende nuk i ka votat e nuk duan të flasin për kushtet e Listës Serbe. Deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti thotë se këto ditët e fundit të pritjes janë më të lodhshmet e më të mendueshmet deri sot.
Por, derisa pushteti ende nuk i ka edhe 2 votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes, deputeti Ilir Deda nga Alternativa thotë se Kosova po i humb afatet për liberalizim, kur dihet se prej 12 deri më 15 mars është seanca plenare e Parlamentit Evropian.
Nëse nuk arrijnë ta përmbyllin këto ditë çështjen e demarkacionit, Deda thotë se Kosova mund ta rrezikojë edhe për dy apo tri vjet këtë proces.
Deputeti serb Igor Simiq nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje. Ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje dhe as vendim nga Lista se si do të veprojë për demarkacionin.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është çështja që më së tepërmi është keqpërdorur për qëllime politike, përfitime personale, partiake dhe klanore.















