Dita Botërore kundër Kancerit, mitet që duhet t’i dimë të gjithë

E publikuar: 05/02/2018 00:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmes rritjes së vetëdijes dhe edukimit mbi sëmundjen, duke shtyrë forcat qeveritare dhe individët që të ndërmarrin aksione, kjo sëmundje, përgjegjëse për miliona vdekje në botë, mund të kapërcehet.

Çdo 4 shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikon rekomandimet për mënyrën si mund të parandalohet kjo patologji. Në këtë datë, në raportet e saj të përvitshme, OKB publikon numrin e të sëmurëve, të të vdekurve dhe të atyre që i kanë shpëtuar sëmundjes së rëndë. Në këshillat e saj renditen një stil jete i kujdesshëm dhe kontrolle të herëpashershme. Kanceri konsiderohet si një sëmundje që gjithmonë e më tepër po sfidon shëndetin e miliona njerëzve në mbarë botën duke u bërë kështu një faktor në barrën globale të sëmundjeve. Nga raportet dhe përllogaritjet e bëra, rezulton se numri i rasteve të reja për çdo vit rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020.

Kanceri mund të prekë çdo pjesë të trupit, mund të prekë të gjithë… të rinj e të vjetër, të pasur dhe të varfër, burra, gra dhe fëmijë.

Disa mite rreth kancerit:

1: Kanceri është vetëm një çështje shëndeti.

Nuk është vetëm një çështje shëndeti, sepse implikon dhe ka pasoja sociale, ekonomike, psikologjike etj.

2: Kanceri është sëmundje e vendeve të pasura, të moshuara dhe të zhvilluara.

Edhe ky konceptim është i gabuar, sepse Kanceri nuk diskriminon. Kanceri është një epidemi globale që mund të prekë të gjitha moshat, të gjitha grupimet sociale në vende të ndryshme të botës.

3: Kanceri është një dënim me vdekje.

Shumë lloje të kancerit, në fakt jo vetëm mund të parandalohen, por edhe mund të shërohen.

4: Kanceri është fati im.

Ky është gjykimi më i gabuar i një të sëmuri me kancer. Parandalimi është i mundur me anë të strategjive të duhura. Nëse merren masa ndaj faktorëve risk, si për shembull duhanit, rreth 30 për qind e llojeve të kancerit mund të parandalohen.