Dita Botërore e Autizmit, MSh-ja: Mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar mbështetje

E publikuar: 02/04/2025 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka shënuar Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizëm.

Përmes një reagimi, ministria thotë se kjo ditë është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar mbështetje për individët që preken nga autizmi.

“Kjo ditë ka për qëllim të ofrojë mundësi për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për të siguruar që personat me autizëm të kenë mundësi të barabarta për të jetuar dhe për të arritur potencialin e tyre të plotë”, thuhet tutje në reagim.

Autizmi është një çrregullim zhvillimor që përfshin vështirësi në komunikimin dhe ndërveprimin social, si dhe modele atipike të sjelljes. Ndikimi i autizmit është i ndryshëm nga individi në individ, dhe kërkon mbështetje të ndryshme, që varion nga mundësitë për të jetuar të pavarur deri tek nevoja për kujdes të vazhdueshëm.

Autizmi ndikon në rreth 1 në 100 fëmijë në botë dhe është më i zakonshëm tek djemtë, duke prekur rreth 4 herë më shumë meshkuj sesa femra.