Skënderbeu dhe Flamurtari rrezikojnë të marrin masa të rënda ndëshkimore nga Komisioni i Disiplinës për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve të të dyja skuadrave. Në mbledhjen e fundit të disiplinorit klubet në fjalë janë ndëshkuar me 200 mijë lekë gjobë secili por në rast përsëritjeje të sjelljes së mbështetësve në shkallët e stadiumeve masa do të jetë më e ashpër dhe mund të shkojë deri në zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë. Si për korcarët ashtu edhe për vlonjatët dënimi është dhënë për ofendim në kor të gjyqtarit, pikërisht në ndeshjet Skënderbeu – Laci dhe Vllaznia – Flamurtari
Në fakt dënimi i skuadrave me gjobë për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve është kthyer në një rutinë për Komisionin e Disiplinës, që edhe në vendimin e datës 16 shtator, ka ndëshkuar plot katër ekipe, Skënderbeun, Partizanin, Tiranën dhe Flamurtarin me të njëjtin motivim.
Në mbledhjen e fundit bie në sy edhe pezullimi me 2 ndeshje i zëvendëstrajnerit të Luftëtarit Marko Jovanovic, për protesta ndaj vendimeve te zyrtarit të ndeshjes në përballjen me Korabin në Elbasan Arena.