Zakonisht, diplomatët amerikanë, kur vijnë në rajon, vizitën e nisin nga Prishtina. Sot ka ndodhur e kundërta. Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, ka shkuar së pari në Beograd. Përveç Presidentit dhe Kryeministres, ai e ka takuar enkas edhe një zyrtar të ulët, Marko Gjuriqin, i cili para dy javësh u arrestua dhe u soll i lidhur në Prishtinë. Çfarë mesazhi është ky?
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është takuar sot me ushtruesin e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Evroazi, Matthew Palmer.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Qeveria serbe, Gjuriq e Palmer kanë biseduar “për dhunën kundër popullit serb dhe kundër përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike të serbëve në Kosovë”.
Gjuriq e Palmer, thekson komunikata e ekzekutivit serb, “kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe janë pajtuar që mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe në mënyrë paqësore, dhe se provokimet dhe urrejtja nuk i shërbejnë stabilitetit rajonal”.
Palmer, sipas qeverisë serbe, ka shprehur mbështetjen e plotë të Amerikës për dialogun në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe për përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës – dhe i ka nxitur të dyja palët të zbatojnë të gjitha aspektet e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Në takimin mes Gjuriqit dhe Palmerit ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott. /Express/


















