Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar, pas emërimit të Matthew Palmer si i dërguar i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe më pas edhe Richard Grenell, i dërguar presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Kostelancik, drejtor i Shërbimit për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Ai thekson se dy zyrtarët amerikanë do të punojnë së bashku për të zgjidhur çështjen e rifillimit të dialogut, nga i cili varet procesi i integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Uashingtoni të organizojë një konferencë vitin e ardhshëm, me synimin për të finalizuar një zgjidhje.

















