Kosova nuk ka arritur që ta ndërtojë një “diplomaci të fortë ekonomike” me të cilën do të arrinte që të përfitonte në fushën e ekonomisë dhe do të nxiste zhvillimin e vendit, kane vlerësuar ekspertë të çështjeve ekonomike.
Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës për angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, ekspertët e fushës thonë se duhet një bashkëpunim më i ngushtë posaçërisht me Komisionin Evropian.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka thënë ndërkaq Radios Evropa e Lirë se rritja e angazhimeve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në aspektin ekonomik do të ndihmojë Kosovën në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e investimeve të huaja.
“Këtë vit kemi pasur disa konferenca, por në mënyrë masive aktivitete do të kemi vitin e ardhshëm. Unë mund të përmend një listë të kryeqyteteve, ku ne do të kemi konferenca të tilla. Shumica e vizitave që unë kam zhvilluar gjatë këtij viti, kanë qenë vizita që kanë pasur objektiv që të organizojmë vitin e ardhshëm konferenca të investimeve, qoftë në Evropë, qoftë në Lindjen e Mesme, qoftë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada apo vende tjera”, ka thënë Hoxhaj.
Në anën tjetër ekspertë për çështje ekonomike, thonë se diplomacia ekonomike në Kosovë nuk është aktive sa duhet në misionin e saj dhe për këtë arsye interesimi dhe besimi i investitorëve të huaj që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë është i mangët.
Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës Ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian në Fakultetin Ekonomik, për Radion Evropa e Lirë, shprehet se organizimi i konferencave nuk ka ndonjë efekt pozitiv në promovimin ekonomik të Kosovës.
Kosova si shtet i ri, thotë ai, e ka shumë të vështirë, njëherësh nuk ka njerëz të kualifikuar dhe më përvojë që të promovojnë Kosovën në planin ekonomik.
“Diplomacia ekonomike duhet të jetë shumë më e fuqishme në Bruksel, në Washington në vendet ku ekzistojnë organizatat e fuqishme ndërkombëtare. Vetëm në Bruksel ka me qindra fonde, programe të ndryshme që do t’i ndihmonin Kosovës, ndërmarrjeve tona për të krijuar partneritet. Prandaj, këtu duhet të jetë fokusimi dhe realisht nuk përfundon përmes një konference që mbahet një-dy ditë, por fokusimi duhet të jetë në baza permanente”, thekson Qorraj .
Ndërkohë Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, thekson se diplomacia ekonomike e Kosovës është shumë e dobët. Sipas tij, deri më tani nuk është vërejtur që diplomacia ekonomike ka kontribuar në sjelljen e investimeve të huaja dhe në promovimin e prodhimeve të Kosovës për eksport.
“Në këtë drejtim janë shumë të dobët dhe nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret. Në disa vende që Kosova pretendon të ketë marrëdhënie intensive ekonomike dhe ku ajo mendon se mund të tërheq investime për zhvillim intensiv të Kosovës, duhet që në ambasada të ketë departamente të veçanta për ekonomi, si për shembull në Bruksel, në Berlin dhe Washington”.
Ndryshe, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, funksionon departamenti për Diplomaci Ekonomike, që ka të bëjë me promovimin e interesit ekonomik kombëtar të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, sensibilizimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja si në energji me strategjitë ekonomike dhe programin e zhvillimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër edhe të politikave të integrimit në Bashkimit Evropian .
Por, profesori Qorraj, thekson se për promovimin e interesave ekonomike të Kosovës nuk mjafton vetëm një departament ekonomik në qeveri. Ai shprehet se përveç kësaj duhet që në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës të ketë departament të veçantë që merret me çështjet ekonomike.
“Përveç kësaj, duhet të ketë edhe bashkëpunim dhe koordinim në mes ambasadave, prej ambasadave me Komisionin Evropian. Unë besoj se roli i Kosovës është i minimizuar në këto iniciativa”.
“Unë personalisht marr pjesë në shumë organizime, takime që mban Komisioni Evropian, mos të them gati çdo muaj jam prezent dhe asnjë herë nuk kam takuar përfaqësues të institucioneve që lobojnë tek Komisioni Evropian, por edhe në institucionet tjera që Kosova të përfitojë apo krijojë një rrjet”, thotë Qorraj.
Por, ministri Hoxhaj thotë se në ambasada nuk ekzistojnë departamente të veçanta ekonomike, por në disa qendra kanë atashe të ekonomisë.
“Çdo atashe i ekonomisë nuk do të mbulojë bashkëpunimin ekonomik bilateral vetëm me atë, për shembull, ambasada jonë në Çeki apo në Austri. Por ambasada jonë në Çeki do të ketë një atashe për ekonomi që do të mbulojë komplet Evropën Qendrore apo në Berlin, do të shohim se cilat shtete do të mbulojnë”, ka thënë Hoxhaj
Departamenti për diplomaci ekonomike, përmes misioneve diplomatike promovon mundësitë ekonomike, potencialet dhe burimet natyrore, fizike dhe njerëzore të Kosovës.
Ky depatament, ndjek, mbështetë dhe lehtëson, aktivitete të ndryshme promovuese, si ekspozita, panaire, forume, konferenca, unione, seminare, brenda dhe jashtë Kosovës, me të gjithë aktorët e tjerë shtetëror dhe privat në kuadër të promovimit. (REL)